Një nga zërat më të fuqishëm të gazetarisë shqiptare, Rudina Xhunga, ka ndarë së fundmi një dëshmi tronditëse dhe tejet njerëzore për betejën që po përjeton prej vitesh me sëmundjen e nënës së saj. Nëna e Rudinës vuan nga një formë demence që ajo e përshkruan si “fluturake”, që vjen dhe ikën, duke ia bërë të paparashikueshme ditët, kujtesën dhe reagimet.

Në "Mirëmbrëma yje", Xhunga tregoi se sa e dhimbshme është të jetosh pranë një nënë që nuk të pyet më “si je”, por që mbetet gjithsesi qendra emocionale e jetës tënde.

“Mami im është me demencë! Është një lloj demence fluturake, që vjen dhe ikën, nuk rri gjithmonë aty. Dhe mami nuk ka një harresë që të më harrojë. Ajo ka më tepër harresë për nevojat e mia, por jo për mua. Për shembull, përpara dy ditësh, më tha: ‘Ti si je?’, dhe unë fillova të qaja sepse thashë: pas 13 vitesh më pyeti si je.”

“Në fakt ajo s’më pyet më si jam, do të dijë vetëm si është ajo dhe në fakt ky është një mundim i madh. I thashë: ‘S’jam mirë, kam këtë problem’. ‘Epo se s’ke mama që të të pyesë se si je, prandaj’, më tha! Sepse ne të gjithë duam që të na pyesin, po kush na e ka ngenë?! Goca ka probleme, burri ka gjithmonë probleme dhe vetëm nëna mund të të pyesi. Por parafytyro një nënë me demencë që nuk të pyet dot, sa e vështirë është jeta për ty…”

“Kështu që kur ajo më pyeti ‘si je’, unë mora urgjencën për herë të katërt që ajo të rrinte në jetë, edhe pse është shumë e vështirë.”

“Duhet të mësohesh, e para të mos kesh turp! Sepse turpi është një gjë që të bllokon dhe e burgos të sëmurin. Për turp unë do e kisha mbyllur mamin tim brenda që mos të dilte nga liqeni, po mami im do vdiste po të mos dilte nga liqeni!”

“Njëherë nga liqeni e gjeti një kolege, një gazetare, një gocë e re ose e madhe, nuk e di pse e bënë, dhe e intervistuan. Dhe ajo tha nga ato gjërat që thotë një njeri me demencë. Dhe ata e nxorrën! Thashë: sa turp! Dhe ajo u tha: ‘Jam nëna e Rudina Xhungës’. Dhe ata u gëzuan dhe e bënë pikërisht për këtë gjë. Po kjo është shumë e rëndë.”

“Pastaj po më thonin: ‘Ok, mami s’duhet të dali’. Po si, ta vras unë mamin tim që ata të mos tallen me mua? Le të tallen, sepse s’ka asnjë problem. Ajo ka nevojë të dalë dhe do dali!”