
Nga Vanity Fair Italia
Superylli kolumbian rrëfen udhëtimin e saj nga dhimbja te qartësia e re: rekorde globale, plagë që mbeten, miqësi që të shpëtojnë jetën dhe një tur madhështor që në 2026 do të ndalet edhe në Itali me shfaqjen më ambicioze të karrierës së saj.
“Do të flisja në italisht, por kam harruar shumë. Duhet të kthehem në vendin tuaj që ta ushtroj pak”.
Kështu e nis Shakira, në italisht, video-telefonatën mes Los Angeles dhe Romës. Me syze dielli, plot humor dhe karizëm, shumë larg stereotipit të “divës latine” klasike por më shumë si një grua që e di mirë se çfarë ka kaluar dhe ku po shkon.
Shifrat flasin vetë: vetëm në Kolumbi, turi i saj ka gjeneruar mbi 155 milionë dollarë impakt ekonomik, me më shumë se 370 mijë spektatorë në katër qytete: Bogota, Barranquilla, Cali dhe Medellín. Në rrjete sociale, ajo numëron thuajse 95 milionë ndjekës në Instagram, 122 milionë në Facebook dhe rreth 323 milionë në TikTok. Me këtë peshë, Shakira është jo vetëm ikonë e industrisë muzikore, por edhe motor ekonomik dhe kulturor për vendin e saj.
Një nga momentet më ikonikë të turit ishte në Bogota, në një koncert “sold out” në Vive Claro Cultural District, ku ajo interpretoi “La Pared” bashkë me Orkestrën Filarmonike të Grave të Bogotás një homazh për 20-vjetorin e albumit “Fijación Oral Vol. 1” dhe për fuqizimin e grave.
Shakira është gjithashtu biznesmene: ka lançuar markën e saj të kujdesit për flokët, Isima, ku ka punuar vetë, dorë më dorë me ekspertët. Sinjali është i qartë: ajo nuk ka asnjë synim të ndalet – përkundrazi, vazhdon ta rrisë lojën.
Turi i fundit në stadiume u quajt historik, theu rekorde dhe ju solli një çmim të ri Billboard. Çfarë ju ka mbetur nga ajo eksperiencë?
“Shumë momente emocionuese.”
Në ç’kuptim?
“Ky tur më ndihmoi të kuptoj se marrëdhënia me fansat shkon shumë më tej se çdo raport klasik mes një artisti dhe publikut. Ka një lloj kuptimi të ndërsjellë shumë të thellë. Një lidhje që nuk thyhet. Besnikëri dhe dashuri që zgjat prej shumë vitesh.”
Në çdo raport ka ‘dhënie’ dhe ‘marrje’. Ju u dhatë emocione. Çfarë ju kthyen ata?
“Më kanë dhënë forcë, sidomos në momentet kur ndihesha e brishtë. Më kanë bërë vërtet të besoj te vetja, më kanë dhuruar shumë dashuri dhe mirëkuptim për punën time.”
Si e përktheni këtë?
“Është e pabesueshme që pas 30 vitesh karrierë puna ime ende ka jehonë kaq të fortë te njerëzit. Thjesht ta dish këtë, të jep një vetëdije të re për karrierën tënde. Më ka bërë të kuptoj se, sa herë ngjitem në skenë dhe shoh fytyrat e tyre duke qeshur, emocionuar, duke kënduar me mua, ajo mbrëmje merr kuptim. Më jep një qëllim.”
“Si çdo njeri, kam përjetuar humbje, zhgënjime, trishtim, tradhti, situata të hidhura. Por tani kam mësuar të jem mirënjohëse për atë që kam, jo të fiksohem vetëm pas asaj që nuk kam.”
“Jam një natyrë shumë ambicioze, gjithmonë dua më shumë. E tillë është natyra njerëzore: kemi një makinë, duam më të mirë; kemi një shtëpi, duam më të madhe. Nuk ndihemi kurrë plotësisht të kënaqur.”
Po tani?
“Ndihem sikur kam tashmë shumë. Kam dashurinë e fëmijëve të mi, dashurinë e fansave, dhe faktin që jam në tur çdo natë duke bërë atë që dua në skenë. Dua ta shijoj këtë moment deri në pikën e fundit, sepse kam mësuar. Po, ndihem se këto koncerte më kanë dhënë një perspektivë të re për jetën.”
Jeni bërë më kërkuese apo më e qetë?
“Besoj se kam qenë e përkëdhelur nga jeta në shumë aspekte. Doja gjithmonë pak më shumë: ‘dua këtë, dua atë’. Por jeta të jep leksione. Nuk merr gjithmonë çfarë do, por shumë shpesh merr pikërisht atë që të duhet. Siç thonë Rolling Stones: You can’t always get what you want. E ka shkruar një njeri shumë i mençur. Unë sot jam në fazën ku po marr ‘atë që më duhet’.”
Dhe çfarë ju duhet?
“Më duhet perspektivë dhe qartësi për gjërat vërtet të rëndësishme. Mendoj që ky është misioni im: të jem këngëtare, artiste, të krijoj muzikë, të lidhem me njerëzit, të jem në skenë çdo natë. Pavarësisht pengesave. Kjo është shfaqja më ambicioze e karrierës sime një prodhim gjigant. Patjetër që kam hasur shumë sfida, por kam mësuar aq shumë, sa më ka dhënë një qartësi mendore që s’e kisha para disa vitesh.”
Turi do të kalojë në Europë dhe, sidomos, në Itali?
“Sigurisht që në Itali. Jo ‘ndoshta’: patjetër. Jam shumë e emocionuar për pjesën europiane të turit. 2026-a i dedikohet Europës dhe disa vendeve në Azi e Lindjen e Mesme. Mezi po pres këtë kapitull. Nuk shoh dot pa u kthyer në Itali, një nga vendet e mi të preferuar në botë. Shumë fans italianë po më presin dhe edhe unë mezi pres t’i takoj. Do t’ju sjell shfaqjen më të mirë të jetës sime.”
Spotify ka festuar së fundmi 30-vjetorin e “Pies Descalzos” dhe 20-vjetorin e “Oral Fixation”. Shakira thotë se ajo që e habit më shumë sot është fakti që muzika e saj është bërë multigjeneracionale:
“Shikoj shumë të rinj që dëgjojnë këngët e mia më të reja, pastaj zbulojnë albumet e vjetër. Identifikohen si me ato të dikurshme, ashtu edhe me ato të sotmet. Në koncertet e mia shoh tre breza bashkë: prindër, fëmijë dhe shpesh edhe gjyshër. Ndihem pak si një film i Disney-t”, – qesh.
Shakira ka qenë dy herë në Festivalin e Sanremos. A është ftuar përsëri, duke parë gjithë këto jubile?
“Do ta doja shumë, por aktualisht është praktikisht e pamundur me kalendarin që kemi. Programi është i çmendur. Nuk e di nga vjen gjithë kjo energji, por e kam me tepricë. Asistentja ime po qesh thotë: ‘Këtë nuk e kisha firmosur!’” – tregon me humor.
“Megjithatë, do të ishte bukur të rikthehesha në Sanremo pas turit. Por para kësaj, kam një takim shumë më të rëndësishëm me publikun italian: koncertin tim.”
“Ky është koncerti që kam ëndërruar gjithmonë. Kur je artiste e re, imagjinon një shfaqje me ekran gjigant, me skenografi të çmendur, fishekzjarre, platforma që ngrihen e zbresin… gjithçka që kam ëndërruar teksa publikoja ‘Laundry Service’, tani po bëhet realitet. Kam punuar një vit të tërë për këtë tur: muzikë origjinale vetëm për shfaqjen, interlude, vizuale të krijuara në kompjuter, 13 ndryshime veshjesh. Dikur dilja me një palë pantallona lëkure, një bluzë dhe kitarën. Tani… ‘more is more’.”
Çfarë do t’i thoshit Shakirës së “Pies Descalzos” nëse do ta takonit sot?
“Para pak ditësh po ecja me djalin tim të madh dhe ai më tha: ‘Mami, Shakira e dikurshme duhet të jetë shumë mirënjohëse për gjithçka ke arritur. Imagjino çfarë do të ndiente po të shihte ku je sot.’ Kishte plotësisht të drejtë. Kam ëndërruar shumë.”
“Vija nga Barranquilla, në një kohë kur muzika latine nuk ishte ‘in’ në botë. Nuk dilte dot jashtë botës ispanike. Unë isha një vajzë e thjeshtë kolumbiane nga një familje që në një moment nuk kishte më asgjë: babai im humbi biznesin. Faleminderit Zotit mora një edukim të denjë prindërit nuk kursyen kurrë për këtë por nuk u rrita në luks, nuk kisha lidhje, nuk kishte rrjete sociale, nuk kishte shkurtore. Duhej të punoje fort, si të gdhendje gurin nën diell.”
Keni menduar ndonjëherë të hiqnit dorë?
“Gjithçka që doja dukej e paarritshme. Por brenda meje kisha një besim, një busull që më drejtonte, një instinkt që nuk e injorova kurrë.”
Dhe sot, po ta shihnit atë vajzën e re përballë, çfarë do t’i thonit?
“‘Je në rrugë të drejtë. Vazhdo. Do t’ia vlejë. Mos i dëgjo ata që nuk besojnë tek ti. Vazhdo, sepse do ja dalësh’.”
Si ndiheni sot?
“Shikoj kaq shumë ende para vetes. Kjo është pjesa më e bukur: ndihem sikur jam ende në fillim. E çuditshme, apo jo? Kam pasion, energji dhe entuziazëm si ditën e parë madje edhe më shumë. Kam mësuar që mund të ndjesh gëzim edhe kur je duke vuajtur, edhe kur ke një plagë që nuk mbyllet kurrë plotësisht.”
A është shëruar ajo plagë?
“Procesi i shërimit nuk është linear. Mendoj se është në zhvillim e sipër. Kërkon shumë dashuri rreth teje, shumë miq. Nuk e dija sa të rëndësishëm ishin miqtë, deri sa kuptova se miqtë të shpëtojnë jetën. Kam zbuluar që kam miq të jashtëzakonshëm.”
Mund të themi se e keni kaluar stuhinë?
“Kam humbur njerëz që i doja, kam humbur besimin te disa, kam përjetuar mashtrime, tradhti, trishtim – ato gjendje njerëzore që na frikësojnë të gjithëve. Gjithçka që kisha frikë, e kam kaluar. Por kam mbijetuar. Dhe kjo më ka bërë më të fortë.”
Pra, a mbyllet ajo plagë apo jo?
“Dofta jo. Ndoshta nuk do të shërohet kurrë plotësisht. Ndoshta gjithmonë do të ketë një shenjë që do të më kujtojë momentet më të hidhura dhe dhimbjen. Por kam kuptuar se mund të jesh e lumtur edhe kur dhimbja ekziston.”
“Është si kur shkon në një festë: mund të kesh një flluskë në këmbë, por prapë mund të kërcesh, apo jo? Kështu ndihem: po vallëzoj dhimbjen time ndërsa ec përpara në jetë.”
“Humbja dhe dhimbja kanë shumë forma. Disa janë më të lehta për t’u harruar, të tjera më të vështira. Por unë kam zgjedhur të fokusohem te ajo që kam për t’i qenë mirënjohëse. Në fund, jeta është si një veprim matematikor: zbrit nga njëra anë, shto nga tjetra.”
“Po, ndihem e lumtur. Besoj që lumturia është edhe zgjedhje. Ka shumë pak lidhje me rrethanat e jashtme. Edhe kur ka dhimbje, nëse arrin të ngrihesh mbi zhgënjimin, mbi frustrimin, dhe të buzëqeshësh sërish, të shohësh nga e nesërmja aty je vërtet i lirë.”
Kush është Shakira sot?
“Kjo pyetje më bën të mendoj shumë. Mendoj se jam një kapitene në formim. Po mësoj shpejt si të drejtoj një anije, edhe në mes të stuhisë. Po zhvilloj një instinkt më të mirë për të dalluar ku ka diell dhe ku po afrohet mot i keq. Ndihem më e përgatitur. Jeta ka qenë mësuesja më e mirë. Dhe koha… koha i përmirëson të gjitha.”
Ka diçka që nuk do ta bënit më?
(Pushim i gjatë.)
“Sigurisht. Çfarë jete do ishte pa pendesa? Siç thoshte Seneka: ‘Një jetë pa kërkim, s’ia vlen të jetohet’. E kam analizuar jetën time. E di që ka gjëra që mund t’i kisha bërë më mirë, njerëz që s’duhej t’i kisha besuar. Por pikërisht ato gabime më formësuan.”
Jeni penduar për vargun famëkeq: ‘Ke ndërruar një Ferrari për një Twingo’, në ‘BZRP Music Sessions vol. 53’, dedikuar ish-partnerit tuaj Gerard Piqué?
“Jam penduar? Jo, jo, jo, jo. Është një nga vargjet më të suksesshëm që kam shkruar ndonjëherë. Një nga më të mirët e jetës sime.”
Rruga e Shakirës si grua latine në industrinë globale nuk ka qenë aspak e lehtë.
“Sot është më e thjeshtë. Ka më shumë hapje, jetojmë në një botë të globalizuar. Bota është bërë shumë më e vogël krahasuar me kohën kur unë nisa. Dikur duhej të shkoja fizikisht nga një radio te tjetra, në Amerikë, në Kolumbi, në gjithë Amerikën Latine, në Itali, kudo. Nuk kishte ‘truke’ apo shkurtime. Albumet më merrnin shumë kohë: shkruaja, prodhoja dhe arranxhoja vetë, bazuar në eksperiencat e mia. Ishte punë artizanale. Pasi dilte albumi, e promovoja për muaj të tërë. Pastaj vinin turet. Asgjë nuk ndalej, gjithmonë në lëvizje.”
Me “Laundry Service”, ajo nisi të shkruante dhe këndonte në anglisht, në një treg ku nuk kishte thuajse asnjë artiste latine apo kolumbiane, aq më pak një grua “e importuar” nga jashtë SHBA-ve.
“Kur dola për herë të parë, titujt e shtypit ishin mizorë: ‘Shakira, eksporti i dytë më i mirë i Kolumbisë’. E kuptoni ironinë? Me nëntekst për drogën. Më lëndonte. Dhe më shtynte përpara. Ishte si benzinë për motorin tim. Doja t’i provoja gabim. Të tregoja diçka ndryshe për njerëzit e mi, për kolumbianët, për latinët, për gratë latine. Gjithë karriera ime ka qenë një mbrojtje për ta. Paralele me këtë, përpiqesha të mbështesja fëmijët në nevojë përmes fondacionit tim, Fundación Pies Descalzos.”
Besoni ende te dashuria?
“Po. Kur shoh si e sheh mamaja ime babain tim… e di që dashuria është plotësisht e mundur.”
Por vetë, si ndiheni?
“Nuk kam një bashkëshort për momentin, por jam e rrethuar nga dashuria. Jeta të heq nga një krah dhe të jep nga krahu tjetër. Siç ju thashë, është si një operacion matematikor. Sot, ndoshta s’kam një partner, por kam dashurinë e fëmijëve të mi, të miqve, të fansave. Dhe këto më mbajnë në këmbë dhe në skenë.”
