
Velloja e misterit që ka mbuluar prej javësh internetin rreth reperit me maskë EsDeeKid mori një kthesë të re, pasi vetë Timothée Chalamet reagoi për herë të parë ndaj teorisë virale se ai mund të fshihet pas këtij identiteti anonim.
Historiku i “komplotit” online nisi si lojë në TikTok nga kreatori KJ.Freeman, por shumë shpejt u shndërrua në një teori të përbashkët interneti: sipas fansave, aktori i “Marty Supreme” dhe reperi underground EsDeeKid janë i njëjti person.
Kush është EsDeeKid dhe pse të gjithë mendojnë se është Timothée?
EsDeeKid është shfaqur në skenën muzikore shumë vonë, por me ritëm marramendës. Albumi i tij debutues, “Rebel”, doli në qershor dhe brenda pak muajsh ai ka arritur rreth 11 milionë dëgjues mujorë në Spotify, kryesisht falë viraleve në TikTok si “LV Sandals”, “Phantom” dhe “4 Raws”.
I vetmi detaj “zyrtar” që dihet për të: pretendon se është me origjinë nga Liverpool-i.
Përse lidhet me Timothée Chalamet?
Pika kryesore është imazhi: EsDeeKid del gjithmonë me një passamontagna që i mbulon krejt fytyrën, përveç vetullave të trasha dhe dy syve të kaltër me formë të zgjatur poshtë një shikim që fansave u duk shumë i ngjashëm me atë të Chalamet në ekran.
Sa më shumë qarkullonin videot e tij, aq më shumë interneti e ushqeu teorinë:
-reper i ri, tërësisht anonim,
-sy e vetulla që duken “si Timothée”,
-stil i kuruar në detaj,
-dhe një mister perfekt për epokën e TikTok-ut.
Më 11 dhjetor, gjatë një interviste në radion britanike Heart Breakfast, Timothée Chalamet u pyet drejt e në sy nëse është ai njeriu nën maskën e EsDeeKid.
Fillimisht, aktori u përgjigj shkurt:
“Nuk kam asnjë koment për këtë, vërtet.”
Më pas shtoi, duke buzëqeshur:
“Kam dy fjalë për të thënë. Vetëm dy: gjithçka do të zbulohet në kohën e duhur.
Këto dolën pak më shumë se dy fjalë…”
Pra, as po, as jo thjesht ujë në mullirin e thashethemeve.
Më tej, Chalamet përmendi edhe alter-egon e tij të famshëm të gjimnazit, “Lil Timmy Tim”, duke iu referuar një videoje virale të vitit 2012 ku ai shihet duke bërë rap në skenën e shkollës së mesme në New York.
“Lëreni t’jua them: Lil Timmy nuk ka të njëjtin sound”, –tha ai me shaka.
E kaluara “rap” e Chalamet nuk mbaron te videot e shkollës. Në vitin 2020, ai u shfaq në “Saturday Night Live” në një skeç ku luante një reper me emrin $mokecheddathaassgetta, bashkë me Pete Davidson. Kjo, për fansat, është një tjetër provë që Timothée e ka gjithmonë patur një raport të veçantë me hip-hop-in.
Por gjërat u ndezën akoma më shumë këtë verë:
–aktori u pa në një koncert të grupit Fakemink në Londër, në gusht, në një periudhë kur kishte një kalendar tepër të ngjeshur xhirimesh;
–Fakemink janë bashkëpunëtorë të afërt të EsDeeKid dhe shfaqen në këngën virale “LV Sandals”.
Rastësi? Interneti nuk e beson shumë.
Përveç kësaj:
–Chalamet dhe EsDeeKid janë fotografuar duke mbajtur të njëjtën shall me kafkë,
–së fundmi EsDeeKid ka hapur edhe një profil në Letterboxd, ku recenson filma por asnjë film me Timothée Chalamet nuk përmendet. As kjo nuk i duket askujt thjesht “rastësore”.
View this post on Instagram
