Aktori i njohur i humorit, Bes Kallaku ka bërë disa deklarata të forta së fundmi në një intervistë me Grida Dumën, rreth një vit pas ndarjes së bujshme. Teksa divorci me Xhensila Myrtezajn mbetet ende një temë e diskutuar, Besi zgjodhi të flasë pa doreza për mënyrën se si e percepton të shkuarën dhe çfarë e mban sot në këmbë.

Gjatë bisedës, ai theksoi prerë se “e shkuara e tij ka vdekur” dhe se po jeton vetëm të tashmen.

“E shkuara ime është e vdekur. Unë po jetoj të sotmen. Unë nuk jam askushi por prezenca ime në jetën e disa njerëzve ua ka bërë jetën më të bukur atyre.”-tha ai.

Në vijim, Grida Duma e pyeti drejtpërdrejt për zhgënjimin nga njerëzit e afërt. Përgjigjja e Besit ishte e gjatë, me theks te besimi, te “miqtë” që u kthyen në kundërshtarë, por edhe te vlerat që ai i quan pasuria e vetme.

“Zoti është me mua, kush mund të jetë kundër meje?! Përveçse ju kam dhënë dorën, ju kam dhënë edhe bukën. Sado të zgjasë nata, do lindë dielli, do të vijë dita. Sa armiq që kemi, dhe sa “miq” armiq që kemi përreth. Pasuria ime më e madhe janë dy fëmijët e mi, nëna dhe babai im. E marrim jetën për të mirëqenë. Sikur s’do na ndodhë kurrë e keqja. Ndërroi jetë edhe Shpati i shkretë. A kishte plane për sot?”, tha aktori.

Në këtë rrëfim, Kallaku veçoi dy fëmijët dhe prindërit si shtyllat e tij, ndërsa theksoi se besimi në Zot e mban të fortë përballë zhgënjimeve dhe përplasjeve njerëzore. Mesazhi i tij, me tone të hapura dhe pa filtra, duket se synon të mbyllë një kapitull dhe të vendosë një vijë ndarëse: jo te e shkuara, por te e tashmja.