
Dashuria mund të ndikojë te pesha trupore jo vetëm përmes rutinave të përbashkëta, por edhe përmes një “aksi” biologjik ku ndërthuren truri, zorra dhe hormonet. Kjo është ideja qendrore e një studimi të ri nga UCLA Health, botuar në revistën shkencore Gut Microbes, i cili sugjeron se njerëzit që jetojnë një martesë me mbështetje të fortë emocionale priren të kenë BMI më të ulët, kontroll më të mirë të oreksit, një mikrobiomë më të shëndetshme dhe nivele më të larta oksitocine.
Studiuesit u nisën nga një vëzhgim i njohur prej vitesh në epidemiologji: personat e martuar ose me marrëdhënie të qëndrueshme shpesh shfaqin profile më të mira shëndetësore, përfshirë edhe norma më të ulëta obeziteti. Pyetja ishte: pse?
Si u zhvillua studimi
Në kërkim u përfshinë 94 të rritur nga zona e Los Anxhelosit. U mblodhën të dhëna për:
statusin civil dhe mbështetjen emocionale të perceptuar nga partneri,
BMI, zakonet ushqimore dhe kushtet socio-ekonomike.
Por pjesa më interesante ishte “paketa biologjike” e matjeve:
rezonancë magnetike e trurit ndërsa pjesëmarrësve u shfaqeshin imazhe ushqimi,
analiza gjaku për oksitocinën,
mostra feçesh për të analizuar metabolitët e prodhuar nga mikrobioma intestinale,
vlerësim për sjellje ushqimore problematike dhe shenja të “varësisë nga ushqimi”.
Çfarë u gjet: më pak “craving”, më shumë vetëkontroll
Rezultatet treguan se personat e martuar që raportonin mbështetje të lartë emocionale kishin:
BMI më të ulët,
më pak shenja të dëshirës së pakontrolluar për ushqim (craving).
Ndërkohë, imazhet e trurit sugjeruan një mekanizëm të mundshëm: tek këta individë vihej re aktivizim më i madh i korteksit prefrontal dorsolateral, zonë e lidhur me vetëkontrollin dhe menaxhimin e impulseve. Me fjalë të thjeshta: truri dukej më “i pajisur” për t’i rezistuar tundimeve.
Studiuesit nënvizojnë edhe një ide provokuese: cilësia e marrëdhënies mund të jetë po aq e rëndësishme për shëndetin fizik sa faktorë klasikë si dieta dhe aktiviteti fizik të paktën si faktor që ndihmon ose pengon.
Avantazhi nuk ndalet te truri. Analiza e metabolitëve intestinalë shfaqi profile më të favorshme, me:
nivele më të larta të disa përbërjeve anti-inflamatore (si indoli dhe indoli-3-karboksilat),
nivele më të ulëta të disa metabolitëve të konsideruar të dëmshëm, përfshirë 3-indoksil sulfat.
Këto molekula lidhen me procese imunitare, inflamatore, energjetike dhe edhe me ekuilibra neurokimikë që ndikojnë te humori, duke krijuar një “firmë” të mundshme biologjike të një zorre më të shëndetshme dhe një metabolizmi më të balancuar.
Një tjetër hallkë e rëndësishme ishte oksitocina (shpesh quajtur thjesht “hormoni i dashurisë”, megjithëse roli i saj është më kompleks). Personat me marrëdhënie më supportive kishin nivele më të larta oksitocine. Hipoteza e studiuesve është se ajo mund të shërbejë si “urë” që modulon si përgjigjen e trurit ndaj ushqimit, ashtu edhe prodhimin e metabolitëve intestinalë që lidhen me peshën.
Autorja kryesore e studimit, neuroshkencëtarja Arpana Church, thekson se prej kohësh dihet që lidhjet sociale ndikojnë në shëndet dhe mbijetesë, por mekanizmat biologjikë kanë qenë më të vështirë për t’u kapur; ky studim përpiqet të hapë një shteg duke treguar si mbështetja emocionale “hyn nën lëkurë” dhe lidhet me rrezikun e obezitetit.
Megjithatë, studimi hap një këndvështrim interesant: krahas dietës dhe aktivitetit fizik, cilësia e marrëdhënieve mund të jetë një faktor që ia vlen të merret seriozisht në diskutimin për peshën dhe shëndetin metabolik — jo si “zëvendësim” i zakoneve të shëndetshme, por si pjesë e së njëjtës tablo.
Burimi shkencor:
Social bonds and health: exploring the impact of social relations on oxytocin and brain–gut communication in shaping obesity (UCLA Health, botuar në Gut Microbes).
