
Mungesa e emisionit “Opinion” në RTV Klan mbrëmjen e kaluar, në një nga rastet e rralla kur programi nuk doli në transmetim të drejtpërdrejtë, ka nxitur reagime dhe spekulime në rrjetet sociale. Pas diskutimeve që u përhapën online, gazetari Blendi Fevziu ka sqaruar publikisht situatën, duke thënë se arsyeja lidhej me ndryshime në programacion për shkak të transmetimit të “Topit të Artë”.
Sipas Fevziut, vendimi për mos-transmetimin e emisionit ishte i lidhur me pritshmërinë që eventi sportiv do të zgjaste më shumë dhe do të zinte edhe hapësirën kohore të “Opinion”, gjë që më pas nuk ndodhi siç ishte parashikuar. Ai e cilësoi mungesën e njoftimit si gabim të televizionit:
"Ka qenë një gabim i televizionit Klan i cili duhet të kishte sqaruar që në mëngjes dje se emisioni 'Opinion', si në raste shumë shumë të rralla, nuk do të transmetohej, për t'i hapur rrugë 'Topit të Artë', spektaklit i cili pritej të ishte pak më i gjatë. Klani nuk e ka bërë këtë."
"Sot në mëngjes jam zgjuar me shumë mesazhe, me teori konspirative, me pyetje, madje dhe disa statuse në Facebook që thonë 'emisioni ka qenë i regjistruar dhe nuk është lejuar të transmetohet sepse ka pasur çështjen Balluku apo ka pasur një video shumë sekrete të Ballukur me gjyqtarët e Gjykatës kushtetuese'. Nuk është e vërtetë."
"Topi i Artë nuk dihej kur do mbaronte, mund të kalonte orën 22:00 dhe unë nuk pranova që të hyj në emision me vonesë. Emisioni nuk është regjistruar, nuk është bërë fare gati, sepse zakonisht emisionet janë 99% live. Për këtë arsye, sot kam anuluar udhëtimin dhe do të jem në studio për të bërë të njëjtin emision që kisha planifikuar dje, me të njëjtët persona. Ishte thjesht një keqpërllogaritje e kohës dhe një banalitet shqiptar dhe pa dyshim që televizioni Klan duhet ta kishte njoftuar."
Sipas tij, situata ishte rezultat i një keqpërllogaritjeje të kohës dhe mungesës së një njoftimi paraprak, ndërsa “Opinion” pritet të rikthehet në studio me të njëjtin format dhe të njëjtët të ftuar që kishin qenë planifikuar për mbrëmjen kur nuk u transmetua.
View this post on Instagram
