Kina po plaket dhe kjo po kthehet në një problem real për ekonominë dhe shoqërinë e saj. Vendi që për dekada u bë i njohur për politikën e rreptë të “fëmijës së vetëm”, sot gjendet në anën e kundërt të medaljes: lindshmëria po bie ndjeshëm dhe popullsia po bëhet gjithnjë e më e moshuar.

Qeveria e Xi Jinping nuk po qëndron pasive. Që nga viti 2013 ka nisur masa kundër rënies demografike dhe së fundmi ka vendosur një hap të ri: një taksë 13% për prezervativët dhe kontraceptivët, që pritet të hyjë në fuqi nga janari 2026. Kjo vjen pas 30 vitesh që Kina kishte hequr çdo taksim mbi mjetet kontraceptive, pikërisht për të frenuar rritjen e popullsisë.

Në vitin 2023, Kina regjistroi rreth 9 milionë lindje kundrejt 11.1 milionë vdekjeve, duke sjellë një rënie natyrore të popullsisë. Norma e fertilitetit është rreth 1.0–1.1 fëmijë për grua, shumë poshtë nivelit të zëvendësimit (2.1). Në 2022, për herë të parë pas më shumë se 60 vitesh, popullsia kineze u ul një kthesë historike.

Sipas Pew Research Center, deri në 2035 rreth 30% e popullsisë do të jetë 60 vjeç e lart, pra mbi 400 milionë të moshuar.

Kjo është krejt e kundërta e viteve ’70, kur “boom”-i demografik e frikësonte qeverinë. Sot, është ekonomia që ndihet nën presion: një popullsi që plaket sjell pabarazi brezash, rrezik për sistemin e pensioneve dhe për forcën punëtore. Jo rastësisht, për herë të parë që nga vitet ’50, është rritur mosha e daljes në pension.

Masat represive kundër atyre që shkelën politikën e “një fëmije” ishin të ashpra: gjoba të larta, sterilizime të detyruara dhe aborte të detyruara. Synimi ishte zhvillimi ekonomik përmes kontrollit të kërkesës për burime.

Në 1993, kontraceptivët u përjashtuan nga TVSH-ja për t’u bërë më të aksesueshëm. Por politika e fëmijës së vetëm, bashkë me preferencën kulturore për djemtë, krijoi pasoja të rënda: aborte selektive dhe braktisje të vajzave, duke çuar në një pabarazi dramatike gjinore.

Për dekada, Kina ndërtoi një figurë të “gruas moderne”: autonome, e orientuar drejt karrierës dhe studimit. Shteti promovonte emancipimin: gratë duhej të kontribuonin në ndërtimin socialist dhe të ishin pjesë e forcës punëtore njësoj si burrat. Kjo kishte edhe një funksion demografik: të zbehte fokusin te amësia dhe dëshirën për shumë fëmijë, në përputhje me politikën e një fëmije.