E ftuar në “The Dalina Show” në Andale Media, Fifi ka folur për raportin me Flori Mumajesin.

E pyetur nga Dalina Buzi se ku qëndrojnë sot me njëri-tjetrin, sidomos duke qenë se Fifi ka thënë edhe më parë që i shkruan prej kohësh dhe nuk merr përgjigje, ajo e tha thjesht: “Vazhdojmë njësoj, unë i shkruaj, ai s’kthen. Ndoshta duhet t’i shkoj te dera t’ia thyej.” 

Por pas humorit, rrëfimi merr një ton më personal. Fifi shpjegon pse ky kontakt i mungon realisht: jo si “kolegu i industrisë”, por si dikush që e ka pasur shumë afër. Ajo thotë se Flori është daja i Theo Malit, dhe e quan “shoku im i shpirtit”, duke shtuar se e ka të vështirë ta imagjinojë veten pa komunikim me të. Madje, sipas saj, Flor Mumajesi e ka parë djalin vetëm kur ka qenë shumë i vogël. 

Edhe origjina e kësaj lidhjeje është po aq e thjeshtë sa tingëllon: muzika. Fifi kujton se kanë punuar bashkë rreth viteve 2020–2021, se ndajnë të njëjtën energji dhe se për të, ky raport është ende i nevojshëm, madje ajo e thotë me bindje se edhe ai “duhet” të flasë me të, edhe pse s’po e bën. 

Në fund, pa hyrë në detaje, Fifi lë të kuptohet se ndoshta diku “i ka ngelur hatri” Florit, një nga ato frazat shqiptare që i mbyllin të gjitha shpjegimet pa i shpjeguar fare.