Angelina Jolie i ka bërë të dukshme për herë të parë shenjat e mastektomisë së dyfishtë, në kopertinën e TIME France, më shumë se 10 vite pasi iu nënshtrua ndërhyrjes parandaluese. Në foto, aktorja 50-vjeçare pozon me një veshje të zezë të hapur dhe me njërën dorë të vendosur mbi kraharor, duke e lënë shenjën të shihet në mënyrë të qetë, si një detaj i vërtetë i trupit. 

Në intervistën për revistën, Jolie e vendos theksin te diçka shumë e thjeshtë: solidariteti mes grave dhe e drejta për të folur pa turp për trupin pas ndërhyrjeve shëndetësore. “I ndaj këto shenja me shumë gra që i dua”, tha ajo, duke shtuar se emocionohet sa herë sheh gra të tjera që bëhen publike me historitë e tyre.

Arsyeja pse zgjodhi ta bëjë këtë tani lidhet edhe me vetë numrin e revistës: Jolie shpjegon se deshi të bashkohej me këtë bisedë publike sepse TIME France po shpërndan informacion mbi shëndetin e gjirit, parandalimin dhe njohuritë për kancerin e gjirit pra, që rrëfimi i saj të shërbejë si hyrje drejt informacionit, jo si “headline” bosh. 

Siç dihet, Jolie iu nënshtrua mastektomisë së dyfishtë në vitin 2013, pasi rezultoi pozitive për një mutacion të gjenit BRCA1, që lidhet me rrezik të rritur për kancer të gjirit dhe të vezoreve. Vendimi i saj u ndikua edhe nga historia familjare: e ëma e saj, Marcheline Bertrand, humbi betejën me kancerin.