Selena Gomez ka vendosur t’u japë fund, një herë e mirë, komenteve dhe hamendësimeve që e ndjekin prej vitesh: pse zëri i saj sot tingëllon ndryshe nga dikur.

Gjatë një Instagram Live të martën, këngëtarja e “Calm Down” iu përgjigj drejtpërdrejt një pyetjeje nga fansat për ndryshimin e zërit ndër vite. “Mendoj se pika ime është që… ndonjëherë ndodhin gjëra,” tha ajo, duke folur me qetësi. “Më bëhet pak çuditshëm. Ndonjëherë fyti më fryhet nga brenda. Kaq. Është ok.”

Gomez, 33 vjeçe, nisi të jepte edhe një shpjegim tjetër, por u ndal në mes, sikur nuk donte ta zgjaste: “Pra ndonjëherë kur jam në… lëre fare,” tha ajo, duke e prerë. “S’ka justifikim, nuk më intereson.” Më pas falënderoi ndjekësit për sinqeritetin: “Jam e lumtur që jeni realë me mua në Live. E vlerësoj vërtet.”

Selena ka folur hapur prej kohësh për betejën e saj shëndetësore, veçanërisht me lupusin. Siç shpjegohet edhe nga Mayo Clinic, kjo sëmundje autoimune kronike mund të shkaktojë inflamacion (ënjtje dhe irritim) në pjesë të ndryshme të trupit gjë që, sipas saj, mund të ndikojë edhe te ndjesia në fyt dhe zëri.

Pas deklaratës së saj, rrjetet sociale u mbushën me komente mbështetjeje. Shumë fansa e vlerësuan faktin që Selena e adresoi vetë me qetësi dhe pa dramë, duke theksuar se ndryshimi i zërit ishte bërë temë spekulimesh prej kohësh.

Gomez ka folur edhe më parë për efektet e trajtimit të saj, sidomos për luhatjet në peshë. Në një Instagram Live në vitin 2023, ajo shpjegoi se kur merr mjekimet “mban më shumë ujë” dhe kur i ndërpret, zakonisht dobësohet. Po atë vit, në një episod të Apple TV+ “Dear…”, ajo tregoi se ishte turpëruar publikisht për shtimin në peshë, duke thënë se njerëzit “s’prisnin gjë tjetër veçse të gjenin diçka për ta ulur”.

Së fundmi, Selena ka qenë e hapur edhe ndaj spekulimeve për pamjen e saj, duke deklaruar se nga procedurat estetike ka bërë vetëm Botox, pavarësisht zhurmës për “ndërhyrje të tjera”.