Café Pli është kafeneja me një nga konceptet më të veçanta jo vetëm në Paris, por në të gjithë botën. E vendosur në Le Marais, Pli i fton njerëzit të shijojnë produktet më të preferuara, nga kafe të ndryshme ekspres, latte apo çajrat klasikë, e deri tek ëmbëlsirat si biskotat, kruasantët dhe kekët. 

Mirëpo, menuja e gjerë nuk është i vetmi element për të cilin vizituesit zgjedhin ta shtojnë Café Pli në listën e tyre të interesit. Pikërisht në këtë kafene mund të merrni pak kohë për të reflektuar me emocionet, mendimet dhe ndjesitë tuaja, e për t'i hedhur në letra të cilat do t'i merrni vite më vonë. 

Mund të jenë dëshira apo qëllime ato që hidhni në letrat e Café Pli, të cilat shkruhen në kafene, vendosen në një zarf të mbyllur, arkivohen nga stafi i kafenesë dhe dërgohen në adresën e autorit në datën e zgjedhur. 

Në botën kaotike të gjithësecilit, të infektuar nga ndikimet e jashtme dhe teknologjia, koha me veten është intimiteti më i madh që mund të arrish. Atmosfera e Café Pli është nostalgjike dhe poetike, çfarë stimulon kujtesën dhe dialogun me veten, në mënyrë që vërtetësia të jetë thelb i atyre letrave.