
Transmetimi i Çmimeve Oscar po hyn në një epokë të re: duke nisur nga viti 2029, ceremonia nuk do të ketë më si platformë kryesore televizionin tradicional, por do të kalojë online, me YouTube që merr stafetën nga ABC.
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit njoftoi të mërkurën se YouTube ka firmosur një marrëveshje shumëvjeçare që i jep platformës të drejtat ekskluzive globale për transmetimin e Oscarëve. Sipas njoftimit, kontrata do të zgjasë deri në vitin 2033, ndërsa ABC (në pronësi të Disney) do të vijojë ta transmetojë ceremoninë deri në vitin 2028.
Kjo lëvizje shihet si një sinjal i fortë për ndryshimin e balancave në industrinë e medias, ku platformat dixhitale si YouTube dhe shërbimet e transmetimit kanë tronditur prej vitesh modelin klasik të televizionit. Akademia i nxori në “garë” të drejtat e transmetimeve të ardhshme në javët e fundit, çka ushqeu spekulime se një gjigant i teknologjisë do të hynte në lojë. YouTube, sipas informacionit të deritanishëm, duket se ka ofruar më shumë se ABC dhe palë të tjera të interesuara, edhe pse detajet financiare nuk u bënë menjëherë publike.
Shefi ekzekutiv i YouTube, Neal Mohan, e quajti partneritetin një mundësi për ta çuar këtë ngjarje “kulturore” te publiku global, duke thënë se Oscarët nderojnë ekselencën në tregim dhe art dhe se ky bashkëpunim mund të frymëzojë një brez të ri krijuesish dhe dashamirësish të filmit, duke ruajtur njëkohësisht trashëgiminë e Akademisë.
Por në Hollywood, lajmi nuk u prit vetëm me entuziazëm. Në rrjet, skenaristi Daniel Kunka e komentoi ashpër duke e krahasuar këtë zhvillim me “t’i shtrëngosh dorën dikujt që po përpiqet të të vrasë” një reflektim i ndarjes së vjetër mes atyre që duan të mbrojnë rrugën tradicionale të kinemasë dhe atyre që shohin të ardhmen te platformat e orientuara nga audienca, si YouTube dhe Netflix.
Nga ana tjetër, YouTube e ka shtyrë vazhdimisht industrinë drejt eksperimentimit me formate dhe teknologji të reja, dhe në të shkuarën ka tentuar edhe të financojë projekte origjinale. Megjithatë, Oscarët vazhdojnë të mbështeten kryesisht te premierat në kinema, edhe pse për publikun e gjerë, shumë filma përfundojnë duke u parë online.
Si shembull, fituesi i vitit 2025 për Filmin më të Mirë, “Anora”, pati premierë në Kanë, doli në kinema dhe më pas mbërriti në Hulu disa muaj më vonë një rrugëtim që tregon pikërisht këtë realitet të ri: kinemaja dhe streaming-u sot bashkëjetojnë.
