Starti i Big Brother Fan Club, me moderatore Kiara Titon, u shoqërua me zhurmë në rrjet, jo vetëm për rikthimin e formatit, por për hyrjen e Luiz Ejllit, e cila u lexua si një mesazh i koduar ndaj atyre që, sipas tij, kanë dyshuar apo “pengesuar” partneren e tij.

Fituesi i BBVIP, në monologun hapës, hodhi një deklaratë që u interpretua si thumb ndaj produksionit ose skeptikëve të rrugëtimit të Kiarës:

“Janë mundu me lënë në hije, por hija nuk e mbulon kurrë dritën. Ajo është dritë dielli.”

Reagimi nuk vonoi. Anaid Kaloti, ish-fitues i Big Brother 6, e kritikoi qasjen e Luizit, duke nënvizuar se “lufta me produksionin ka mbaruar” dhe se Top Channel nuk është armik. Sipas tij, Kiara është prej kohësh në “ekranin më të fortë shqiptar” dhe nuk është lënë kurrë në hije, duke kujtuar angazhimet e saj në Portokalli, DWTS dhe tashmë BB Fan Club.

“Ne burrat gjithmonë prishim punë, kur gjoja zotohemi të mbrojmë gratë…” –shkruan Anaidi, duke e quajtur dramatizimin si diçka që, sipas tij, “nuk shet më”.

Vetëm pak orë pas postimit të Kalotit, Luizi publikoi një Story me tone të ashpra, pa përmendur emra, por me një adresim që u duk i drejtpërdrejtë:

“Dikush t’i thotë dikujt mos ha […], se përballë do thuash më fal prap.”