
Pas eliminimit të Tonit nga shtëpia e Big Brother VIP Kosova, rrjetet sociale u pushtuan nga një “teori konspirative” që mori hov brenda pak orësh: sipas aludimeve, moderatorja Jonida Vokshi kishte lexuar gabim emrin e banorit që duhej të linte shtëpinë gjatë spektaklit të së premtes.
Edhe pse Jonida e mohoi menjëherë një mundësi të tillë, diskutimi nuk u shua. Përkundrazi, shfaqja e Tonit në ambientin e “kapsulës” vetëm sa e ushqeu më tej dyshimin te një pjesë e publikut, duke u interpretuar si “provë” se diçka kishte ndodhur dhe më pas ishte mbuluar.
Përballë zërave që nuk po ndaleshin, Jonida ka reaguar sërish këtë herë me një postim të gjatë dhe me tone të forta në Instagram, ku pranon se durimi i saj ka mbërritur në limit.
“Ju e keni parë që unë reagoj për çdo situatë me humor… Por u bë boll!” –shkruan moderatorja, duke lënë të kuptohet se ky diskutim ka kaluar kufijtë e një thashethemi të zakonshëm.
Ajo sqaron edhe mënyrën si funksionon formati, duke e quajtur të pamundur që një gabim i tillë të kalojë pa u vënë re.
“Ky format ka një produksion të tërë gjigand nga mbrapa, që edhe sikur (gjë që nuk ndodh kurrë) të gabohet në një emër, ai s’ta lejon,” shprehet Vokshi, duke mbrojtur jo vetëm veten, por edhe profesionalizmin e ekipit.
Në reagimin e saj nuk mungon as ironia ndaj atyre që, sipas saj, po e ushqejnë dhe po e shpërndajnë këtë narrativë, duke cituar shprehjen: “Hedh një budalla një gur në lumë, ngrihen 100 të mençur për ta nxjerrë që aty.”
Në mbyllje, Jonida bën thirrje për më shumë dashuri, respekt dhe kujdes në gjykime, duke kërkuar që publiku të dijë të ndajë spektaklin nga realiteti dhe të mos e kthejë çdo moment televiziv në “gjyq” kolektiv online.

