
Lidhja e Roza Latit me Xhonatan Islamin, që për një kohë të gjatë ishte kryefjalë e mediave rozë, duket se ka hyrë në një kapitull tjetër. Pas më shumë se një viti së bashku me foto, udhëtime dhe momente të ndara publikisht në rrjet po qarkullon gjerësisht lajmi se dyshja janë ndarë, edhe pse deri tani mungon një deklaratë zyrtare nga secili.
Ajo që ka ndezur dyshimet janë lëvizjet e fundit në rrjetet sociale: si Roza, ashtu edhe Xhonatani kanë fshirë çdo foto ku shfaqeshin bashkë, ndërsa njëkohësisht kanë hequr njëri-tjetrin nga lista e ndjekësve. Në “gjuhën” e sotme të Instagramit, këto janë shpesh sinjale të qarta se një marrëdhënie ka marrë fund.
Kujtojmë se gjatë verës së kaluar, çifti u pa shpesh bashkë në jug. Xhonatan ishte i angazhuar me sezonin turistik, ndërsa Roza e shoqëroi për afro tre muaj rresht, duke e bërë praninë e saj pjesë të përditshmërisë së tij.
Në një intervistë të dhënë më herët, Roza kishte folur me tone romantike për këtë histori, duke e quajtur Xhonatanin “shpirtin binjak”:
“Unë Xhonatanin e gjeta në det. Shpirtrat binjakë gjejnë njëri-tjetrin. U kuptuam dhe që nga ajo ditë nuk kemi qëndruar më pa njëri-tjetrin. Për martesën është shumë herët për të folur, me rëndësi është se ka shumë dashuri”, ishte shprehur ajo asokohe.
