Festat e fundvitit shpesh janë një sfidë e vërtetë për trupin tonë. Angazhimet shoqërore shtohen, takimet pasojnë njëra-tjetrën dhe shumë prej tyre rrotullohen rreth ushqimit: aperitivë, dreka, darka dhe, në fund, darkat e gjata të Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri. Momente të bukura, plot atmosferë, por edhe një test i vështirë për masën. Mes ëmbëlsirave, gatimeve tradicionale të pasura dhe alkoolit më të shpeshtë se zakonisht, është shumë e lehtë të dalim nga “korniza”. Lajmi i mirë është që mund t’i shijosh Festat pa hequr dorë nga gjithçka dhe pa u ndjerë keq të nesërmen. Ja një mini-udhërrëfyes praktik me këshilla që të ndihmojnë të kalosh këtë periudhë “pa pasoja”.

1) Mos ha gjithçka që del në tavolinë
Nuk je e detyruar të provosh çdo gjë. Të thuash “jo” është e drejta jote dhe, në një farë mënyre, edhe një kujdes ndaj trupit. Nëse do, provo vetëm sasi të vogla, ose refuzo me mirësjellje.

2) Dil ditë për ditë, ose të paktën shmang kombinimin drekë dhe darkë
Trupi (dhe edhe mendja) ka nevojë për kohë të rikuperohet. Nëse pas një darke të rëndë bën një ditë më të lehtë “detox”, me ushqime më të thjeshta, me fibra, fruta dhe perime, e balancohen më mirë sheqernat dhe yndyrnat e ditës paraardhëse.

3) Kujdes me kripën, yndyrnat dhe sheqerin
Teprimi mund të sjellë fryrje, mbajtje uji, rritje të tensionit, të sheqerit në gjak dhe të kolesterolit. Dhe kjo, në fund, përkthehet në ndjesi të pakëndshme, ndonjëherë edhe shqetësuese.

4) Lëri vend frutave dhe perimeve
Ushqyerja duhet të jetë e larmishme. Është mirë të alternohen proteinat shtazore me ato bimore. Bishtajoret janë zgjidhje shumë e mirë në periudha “teprimesh”, njësoj si frutat dhe perimet. Edhe kur del jashtë, mund të zgjedhësh një sallatë, ose një pjatë vegjetariane/vegane më të lehtë.

5) Shko “vetëm për kafe”
Jo çdo takim festash duhet të shoqërohet patjetër me ëmbëlsira, alkool dhe shumë kalori. Të kalosh për t’i përshëndetur njerëzit pasi ke ngrënë më herët shëndetshëm nuk është “faj” dhe nuk të bën më pak shoqërore.

6) Pije alkoolin me masë
Vera dhe alkooli kanë rol social, sidomos në darkat e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri, prandaj ndonjëherë është e vështirë të heqësh dorë. Por alkooli e rëndon organizmin, ndikon te sistemi tretës dhe nxjerrës dhe favorizon shtimin në peshë. Një kompromis i mirë është të reduktosh gotat, ose të distancosh daljet, ashtu si me vaktet e mëdha.

7) Pij rreth 2 litra ujë në ditë
Me ujin s’ka pse të jesh “dorështrënguar”. Kur ha më shumë sheqer dhe yndyrë, gjëja më e mirë është të ndihmosh trupin të pastrohet. Uji ndihmon funksionet normale të organizmit. Pije gjatë gjithë ditës, jo vetëm gjatë vakteve.

8) Thuaji “po” lëvizjes
Edhe gjatë festave, gjej pak kohë për aktivitet fizik. Nuk ka rëndësi të jetë stërvitje e fortë; rëndësi ka të lëvizësh. Edhe një ecje rreth një orë në ditë mban metabolizmin aktiv dhe trupin në ritëm.

9) Dil në ajër të pastër
Edhe nëse bën ftohtë, vishu mirë dhe dil, sidomos në orët më të ngrohta të ditës. Trupi ka nevojë për ajër të pastër, hapësira të ajrosura dhe lëvizje jashtë ambienteve të mbyllura. Pas teprimit në ushqim, ecja në ajër të hapur ndihmon për të shmangur grumbullimin e gazrave, fryrjen dhe përmirëson oksigjenimin.

10) Mos e nënvlerëso ndihmën e natyrës
Ekzistojnë bimë me veti tretëse që mund të ndihmojnë pas vakteve të rënda, duke zbutur pasojat e teprimit. Shpesh përmenden bergamoti, papaja, finoku, xhenxhefili dhe jamballi.