Për dekada me radhë, yndyrnat e ngopura u trajtuan si “armiku” kryesor në tryezë. Gjalpi, pana dhe djathrat e stazhonuar shpesh u vendosën në listën e gjërave që duhen konsumuar rrallë, sepse mendohej se rrisnin kolesterolin dhe rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Por tani, një kërkim i publikuar të mërkurën e kaluar në revistën shkencore Neurology i sheh disa prej këtyre ushqimeve nga një kënd krejt tjetër: disa djathra me përmbajtje të lartë yndyre mund të lidhen me një rrezik pak më të ulët për demencë.

Pyetja që lind vetvetiu është: a do të thotë kjo se mund të kthehemi te feta “pa kursim” djathi pa asnjë ndjenjë faji? Jo kaq shpejt. Ja çfarë thotë studimi dhe pse duhen interpretuar me maturi këto rezultate.

Çfarë thotë studimi suedez
Të dhënat vijnë nga Malmö Diet and Cancer Study, një nga studimet më të gjata dhe më të strukturuara mbi ushqyerjen në Europë, i udhëhequr nga Lund University. Që nga viti 1991, rreth 28 mijë persona u ndoqën për afro 25 vite, duke u regjistruar zakonet ushqimore dhe duke u krahasuar me diagnozat e demencës të raportuara në regjistrin suedez të pacientëve.

Pasi u morën parasysh faktorë si aktiviteti fizik, pirja e duhanit, konsumi i alkoolit dhe modeli i përgjithshëm i të ushqyerit, studiuesit vunë re dy lidhje kryesore:

Personat që konsumonin të paktën 50 gram në ditë djathra me shumë yndyrë të ngopur shfaqnin një rrezik për demencë 13 për qind më të ulët krahasuar me ata që hanin më pak se 15 gram në ditë.
Tek ata që konsumonin çdo ditë të paktën 20 gram pana me 30 deri 40 për qind yndyrë, u pa një ulje rreziku 16 për qind krahasuar me ata që nuk konsumonin fare.

Këto nuk janë shifra që përmbysin gjithçka, por bëhen interesante në një kohë kur frika nga rritja e demencës është reale. Në Itali, vlerësohet se sot rreth 1.2 milion persona mbi 65 vjeç jetojnë me forma demence dhe, sipas Istituto Superiore di Sanità, me plakjen progresive të popullsisë ky numër mund të shkojë deri në rreth 2.3 milion deri në vitin 2050.

Jo të gjithë produktet e qumështit janë njësoj
Pjesa më surprizuese nuk është vetëm ajo që u pa, por edhe ajo që nuk u pa. Studimi nuk gjeti përfitime të ngjashme për qumështin, as të plotë as të skremuar, as për gjalpin, kosin, kefirin apo produktet e fermentuara të tjera. Po ashtu, nuk u gjet asnjë efekt i rëndësishëm për versionet me pak yndyrë të produkteve të bulmetit. Dallimi doli i qartë: në këtë analizë, vetëm djathrat me shumë yndyrë dhe pana shfaqën një lidhje pozitive.

Atëherë pse disa po dhe disa jo? Sipas vetë studiuesve, djathi është ushqim i fermentuar dhe mund të përmbajë përbërës bioaktivë që lidhen me modulimin e inflamacionit dhe shëndetin vaskular. Ndërsa pana, zakonisht, nuk konsumohet e vetme në sasi të mëdha, por brenda gatimeve shtëpiake dhe mund të jetë edhe një “shenjë” e një stili të caktuar ushqimi dhe jete.

Një element tjetër interesant lidhet me mënyrën e rritjes së kafshëve. Neurologë dhe studiues amerikanë që komentuan rezultatet vunë në dukje se lopët e rritura në kullota, siç ndodh shpesh në Suedi, mund të japin qumësht më të pasur me acide yndyrore omega 3, të cilat konsiderohen potencialisht të dobishme për funksionet e trurit.

Pse disa shkencëtarë kërkojnë kujdes
Sado intriguese të duken, këto rezultate nuk do të thonë se djathrat e stazhonuar dhe pana janë “ushqime mbrojtëse” në kuptimin e plotë të fjalës.

Mes zërave skeptikë përmendet edhe Walter Willett, epidemiolog në Harvard, i cili i tha CNN se rezultatet për djathin janë në kufijtë e domethënies statistikore. Një tjetër pikë kyçe është se studimi regjistroi dietën e pjesëmarrësve vetëm në vitin 1991, pa ndjekur me të njëjtin detaj si ndryshoi ushqyerja e tyre me kalimin e viteve. Pra, nuk dimë nëse më pas ndryshuan stil jete, llojin e djathit apo shpeshtësinë e konsumit. Përkthyer thjesht: kjo nuk është një ftesë për “teprime me djathë”.

Edhe editoriali shoqërues i studimit jep një çelës interpretimi: përfitimet shfaqen më qartë kur djathrat me shumë yndyrë zëvendësojnë ushqime më problematike, si mishi i kuq i përpunuar dhe produktet me yndyrna të ngopura industriale. Pra, ndoshta nuk është djathi që “mbron” trurin, por zgjedhja për të mos konsumuar diçka tjetër që dëmton më shumë.

Pra, djathi bën mirë apo bën keq?
Studimi suedez ka peshë, sepse është i gjatë, ka kampion të madh dhe përdor një bazë të fortë të dhënash shëndetësore kombëtare. Por, nga ana tjetër, nuk mjafton për të rishkruar udhëzimet ushqimore. Ajo që del më qartë është një ftesë për të mos pasur qasje të ngurta ndaj yndyrnave të ngopura.

Në një dietë të balancuar dhe në sasi të moderuara, djathrat e stazhonuar me shumë yndyrë nuk duken se e përkeqësojnë shëndetin e trurit dhe, në disa grupe, mund të lidhen edhe me një rrezik pak më të ulët për demencë. Megjithatë, pyetjet mbeten të hapura: a ka më shumë peshë yndyra apo fermentimi? a ndikon cilësia e ushqimit të kafshëve? sa rëndësi ka konteksti kulturor dhe modeli i përgjithshëm i dietës?

Deri atëherë, ndoshta mësimi më i vlefshëm është ky: lidhja mes ushqimit dhe shëndetit të trurit është shumë më komplekse sesa etiketat e thjeshta “bën mirë” apo “bën keq”.