“O sot, e shtunë 20 dhjetor 2025, përfundoj pesë vite terapi hormonale pasi, në fund të 2019-ës, më u diagnostikua një tumor në gji.” Me këto fjalë, Carla Bruni ka ndarë një lajm shumë personal: pas një rruge të gjatë trajtimi, ajo e konsideron të përmbyllur procesin e shërimit nga kanceri i gjirit.

Në mesazhin e gjatë që shoqëron një foto ku ajo mban në dorë atë që duket si paketa e fundit e medikamenteve që ka përdorur në këto pesë vite, Bruni tregon se si ka kaluar nëpër fazat kryesore të kurimit: ndërhyrje kirurgjikale, radioterapi dhe terapi hormonale. Ajo e pranon se kjo e fundit vjen me efekte anësore të vështira, por thekson se është mirënjohëse ndaj shkencës, sepse sipas saj terapia hormonale është një mbrojtje e fortë kundër rikthimit të sëmundjes, i cili shpesh mund të ndodhë në vitet pas diagnozës.

Në të njëjtën kohë, Carla Bruni i drejtohet grave që janë në të njëjtën situatë me një mesazh inkurajues: të mbajnë fort, sepse edhe pse trajtimi është i rëndë, efektiviteti i tij mund të jetë jetëshpëtues.

Postimi i saj është edhe një thirrje e qartë për parandalim. Ajo nënvizon rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe i fton gratë të mos hezitojnë të bëjnë screening çdo vit, kur kjo është e mundur. Në mbyllje, Bruni shpreh mirënjohjen e saj për ekipin mjekësor që e ka ndjekur, duke vlerësuar jo vetëm profesionalizmin, por edhe njerëzillëkun e tyre gjatë kësaj prove.

Carla Bruni kishte folur publikisht për herë të parë për kancerin e gjirit në vitin 2023, duke zgjedhur rrjetet sociale. Në atë kohë, ajo tregoi se diagnozën e kishte marrë në fund të 2019-ës dhe se e kishte përballuar rrugëtimin e kurimit larg vëmendjes publike, për të mbrojtur veten dhe familjen.

Edhe atëherë ajo theksoi fort një mesazh: screening-u dhe diagnostikimi i hershëm bëjnë diferencën, sepse lejojnë trajtim në kohë dhe rrisin shanset e suksesit.

Carla Bruni është nënë e dy fëmijëve: Aurélien, i lindur në 2001 nga marrëdhënia e saj me shkrimtarin Jean-Paul Enthoven, dhe Giulia, e lindur në 2011 nga martesa me Nicolas Sarkozy. Ajo e ndan këtë lajm të rëndësishëm në prag të ditëlindjes së saj të 58-të, që do ta festojë më 23 dhjetor 2025, në një periudhë ku jeta e saj private ka qenë gjithashtu nën trysni për shkak të problemeve gjyqësore të Sarkozy-t.

Por, në mes të gjithë kësaj, mesazhi i Brunit është i qartë: rrugëtimi i shërimit është real, i vështirë, por i mundur dhe parandalimi mbetet aleati më i madh.