Ka artistë që nuk kanë nevojë të bëjnë zhurmë që të mbeten. Arilena Ara është një prej tyre. Dhe pikërisht kjo e bën “fytyrën e re dhe moderne” të Festivalit të 64: një shkëlqim i qetë, i sigurt, që nuk kërkon vëmendje, por e merr natyrshëm.

E mbajmë mend ende vitin 2020 në Festivalin e 58, në performancën e saj si “Cat Woman”, veshur në lëkurë të zezë, magjia e një violine në sfond, zëri kumbues që bindi çdo zemër dhe portreti i pastër si qelq. Një imazh i fuqishëm, i fundit që na mbeti në retinë nga ajo skenë, kur me aprovimin unanim të publikut ngriti trofeun e fitores me këngën “Shaj”, që e riktheu, në natën e nostalgjisë dhe dueteve, kur u ngrit sipari i mbrëmjes së tretë në edicionin e 64, pas 6 viteve…

Të gjithë e deshën Arilenën atë vit, sepse ajo ishte “the girl next door”, ajo vajza e thjeshtë që nuk imponohet, thjesht emeton emocionin e një zemre dhe dy syve të çiltër e të sinqertë.

Emocioni u kthye si jehonë, këtë herë pa zhurmë, pa skena të tepërta. Muzika ishte thjesht muzikë. Dhe arriti sërish si një “click” në zemrën e çdo spektatori.

Në paradën e saj përgjatë katër netëve, Arilena vendosi një standard të ri, jo vetëm në këndim, por edhe në prezantim. E sigurt, elegante, pa e rrotulluar eventin rreth vetes, por duke u bërë qendra e tij në mënyrën më të natyrshme, e saktë dhe e matur në fjalë, me një zë të mbështetur dhe një prani që nuk lë boshllëk. Kështu fitoi bastin e parë: atë të prezantimit.

Basti i dytë ishte pamja: stili i flokëve dhe grimi, krejtësisht natyral, një natyralitet që rrallë e shohim sot në ekranet shqiptare. Një thjeshtësi e frymëzuar nga Perëndimi, ku industria e modës dhe bukurisë e vlerëson gjithnjë e më shumë vajzën “ujë e sapun”, atë bukuri që nuk ka nevojë të justifikohet me shtresa.

Basti i tretë: fustanet. Pa “pasarela” të ngritura si qëllim në vetvete, pa ekzagjerime për të bërë lajm. Me guxim për të provokuar në mënyrë të sofistikuar. Arilena, me një fizik të skulpturuar, solli sensualitetin pa e ulur në vulg, elegancën pa e ngrirë në formalitet dhe një stil vajzëror, që fustanet e shkurtra i bëri të dukeshin klas, jo thjesht trend.

Dhe basti i katërt, më i rëndësishmi: zëri. Talenti i saj i vërtetë: ZËRI. Një nga vokalistet dhe performueset më të mira në Shqipëri. Edhe kur kishte hapësirë të mjaftueshme për të bërë “show”, ajo zgjodhi vetëpërmbajtjen. Një modesti e rrallë në një kohë ku protagonizmi shpesh ngatërrohet me vlerën. Por në dy interpretimet artistike ku u shfaq, la gjurmë, sepse zëri i mirë nuk ka nevojë për dekor.

Arilena Ara na kujtoi diçka thelbësore: klikimet mund të bëjnë zhurmë, por nuk e zbehin kurrë talentin. Dhe në një festival ku shpesh luftohet për momentin, ajo fitoi me kohëzgjatjen. Pa bërtitur. Pa u sforcuar. Pa e bërë veten “ngjarje”, sepse ajo ishte ngjarja.

Popi Kola, menaxheri dhe producenti që fshihet pas vendimeve të saj artistike, orientohet nga qasja perëndimore e thjeshtësisë dhe tregoi që kishte të drejtë.

Në fund, ajo i fitoi “katër bastet” me një kartë të vetme fituese: thjeshtësinë. Dhe kjo është, ndoshta, forma më moderne e shkëlqimit.