Juela Nikollaj është banorja më e re që i bashkohet Big Brother VIP 5, duke sjellë në shtëpi një histori jete që nuk është thjesht “profil”, por një rrëfim i vërtetë për rrënjët, ëndrrat dhe një dhimbje që i ndryshoi përgjithmonë drejtimin.

E lindur në Laç dhe e rritur jashtë Shqipërisë, në Milano, Juela vjen nga një familje shqiptare shumë e lidhur, ku identiteti nuk është lënë kurrë të zbehet. Prindërit e saj, siç tregon ajo, kanë qenë të kujdesshëm që në shtëpi të ruheshin rrënjët, kultura dhe vlerat me të cilat janë rritur vetë.

Fëmijëria e Juelës ka qenë e mbushur me dashuri, sidomos pranë tre motrave, por edhe me disiplinë. Ajo përshkruhet si një vajzë e qetë, kureshtare, shumë aktive dhe me ëndrra të mëdha, një kombinim që duket se e ka shoqëruar edhe në zgjedhjet e saj të mëvonshme.

Pas studimeve të larta për Ekonomi Europiane, Juela vendosi t’i japë hapësirë një pasioni që, sipas saj, e kishte gjithmonë brenda: muzikës. Fillimisht e rritur me rrymën pop, me kalimin e kohës nisi të kërkonte një tingull më të afërt me botën e saj, më “të përzier”: elementë ballkanikë, pak orientalë, dark pop dhe ballads, një identitet muzikor që thotë se e përfaqëson më shumë. Edhe mësimet e pianos e kanë ndihmuar të lidhet me muzikën në një mënyrë më profesionale, edhe pse e quan veten ende në fillimet e saj.

Por jeta e Juelës nuk është ndërtuar vetëm mbi ëndrra. Disa vite më parë, ajo humbi njeriun me të cilin po përgatitej të martohej. Ai u vra në oborrin e shtëpisë, bashkë me motrën e tij, nga ish-bashkëshorti i kësaj të fundit. Një ngjarje që tronditi gjithçka dhe e futi në një periudhë të gjatë dhimbjeje dhe ankthi.

Juela e përshkruan atë kohë si momentin më të errët, por edhe si pikën ku vendosi të mos mbetej peng i tragjedisë. Në rrëfimin e saj, ajo shprehet se në fillim mendonte se dhimbja do të ishte e papërballueshme, por me kalimin e kohës kuptoi se jeta ndryshon sipas mënyrës si zgjedhim ta përballojmë.

“Kam kaluar shumë dhimbje dhe ankth punova shumë me veten, dhe ajo dashuri e bukur që më kishte lënë ai u bë dritë në momentet më të errëta. Më tregoi se unë mund të ngrihem përsëri… u bë forca që më ngriti,” shprehet ajo, duke shtuar se kjo periudhë e ka bërë më të fortë, më të vetëdijshme për atë që kërkon dhe më ka mësuar të gjejë dritë edhe kur mendonte se nuk kishte më.

Sot, Juela hyn në Big Brother VIP 5 me pritshmërinë që kjo eksperiencë të mos jetë thjesht një “aventurë televizive”, por një kapitull i ri: një hapësirë ku mund të tregojë veten, historinë e saj dhe ndoshta të hapë dyer të reja, si në jetën personale, ashtu edhe në rrugëtimin artistik.