
Familja e Enrique Iglesias dhe Anna Kournikova është zgjeruar sërish. Këngëtari dhe ish-tenistja kanë njoftuar në Instagram se janë bërë prindër për herë të katërt, duke publikuar një foto të ëmbël të foshnjës që fle në djep, pranë një lodre pellushi. Në mbishkrimin shoqërues, ata kanë shkruar: “Dielli im”, ndërsa kanë zbuluar edhe datën e lindjes: 17 dhjetor 2025. Për momentin, çifti nuk ka ndarë as gjininë dhe as emrin e bebit.
Iglesias dhe Kournikova kanë edhe tre fëmijë të tjerë: binjakët Lucy dhe Nicholas, të lindur në 2017, si dhe vajzën e vogël Mary, që erdhi në jetë në 2020.
Lajmi se Anna ishte në pritje të fëmijës së katërt kishte qarkulluar që në gusht, por jo nga vetë çifti. Ishte revista Hola që publikoi disa foto ku Kournikova shfaqej me një bluzë të gjerë, duke lënë të kuptohej shtatzënia dhe duke raportuar se të dy ishin shumë të emocionuar për t’u bërë sërish prindër brenda fundit të vitit. Tani, duket se parashikimi ishte i saktë: më 17 dhjetor, familjes iu shtua edhe një anëtar i ri.
Në fakt, fëmijët kanë qenë gjithmonë pjesë e planeve të tyre. Anna kishte thënë në vitin 2011 se dëshironte patjetër të kishte fëmijë, të sajët ose të adoptuar, sepse i pëlqen të kujdeset për njerëzit. Ndërsa Enrique, në një intervistë më të vonshme, kishte pranuar se që kur është bërë baba, gjithçka në jetën e tij rrotullohet rreth fëmijëve.
Çifti, i cili është bashkë prej më shumë se dy dekadash, ka zgjedhur gjithmonë ta mbajë jetën private larg zhurmës publike. Madje, nuk dihet as nëse janë martuar ndonjëherë. Enrique ka qenë për vite me radhë skeptik ndaj martesës, duke thënë se nuk e bën një lidhje më të vërtetë një “copë letër”, ndërsa edhe Anna ka shprehur të njëjtën qasje: për të, rëndësi kanë angazhimi, sinqeriteti dhe besimi mes dy njerëzve. Megjithatë, në vitin 2020, Enrique la të kuptohej se mund ta kishte ndryshuar mendimin, duke thënë se beson te martesa dhe se një ditë do të martohet.
Nëse kjo ka ndodhur apo jo mbetet mister, por një gjë është e sigurt: Enrique Iglesias dhe Anna Kournikova sapo kanë përjetuar edhe një herë gëzimin e prindërimit, tashmë si familje me katër fëmijë.
View this post on Instagram
