
Italia e vreshtave, historisë së pasur dhe kuzhinës fantastike, ka tashmë një tjetër element për të tërhequr turistët. Në qytezën e qetë të Caldari di Ortona, në rajonin e Abruzzo-s, ndodhet një shatërvan nga ku buron verë gjatë gjithë kohës.
“Fontana del Vino”, është atraksioni i cili promovon kulturën e pasur të verës, të këtij rajoni. Ndryshe nga shatërvanët tradicional, ky nuk ofron ujë, por verë të kuqe që buron nga rubinetët, duke lejuar entuziastët e këtij alkooli të freskohen me të.
Ky shatërvan nuk është vetëm një shenjë e bollëkut dhe mikëpritjes italiane, por edhe një mënyrë për ti prezantuar vizitorët me shijet e rajonit, ndërsa peisazhi i vreshtave madhështor i rrethon.
Vendasit thonë se ky atraksion nuk duhet parë si një shpërdorim, por si një simbol i ngrohtësisë dedikuar turistëve, që jo vetëm pushojnë në këtë ndalesë, por mbi të gjitha marrin një kënaqësi të madhe nga ajo.
Abruzzo është një diamant i fshehur i Italisë, i njohur për qytezat sharmante, verat e jashtëzakonshme dhe peisazhin e gjelbërt ngado, të cilin duhet ta shtoni në listat tuaja të eksplorimit.
