Kur afrohen festat e fundvitit, mesazhet e papritura nga ish-partnerë që prej kohësh kanë munguar nga jeta jonë mund të prishin lehtësisht ekuilibrin emocional. Kjo situatë është më e zakonshme sesa duket dhe nuk ka asgjë magjike apo misterioze në të. Rikthimi i tyre lidhet me disa arsye psikologjike të qarta, që aktivizohen pikërisht gjatë kësaj periudhe reflektimi dhe nostalgjie.

Nostalgjia dhe vetmia– Festat shpesh zgjojnë kujtime të vjetra dhe ndjesinë e mungesës së dikujt me të cilin janë ndarë momente të rëndësishme.

Nevoja për vëmendje dhe konfirmim emocional– Një mesazh mund të jetë thjesht një mënyrë për të ndjerë se ende kanë rëndësi për dikë.
Reflektimi i fundvitit– Kjo periudhë i shtyn njerëzit të mendojnë për zgjedhjet e së shkuarës dhe “çfarë mund të kishte qenë ndryshe”.

Frika nga një fillim i ri vetëm– Mendimi për një vit të ri pa një partner i bën disa ish-partnerë të rikthehen tek e njohura, edhe nëse nuk kanë qëllime serioze.

Periudha festive na sjell një mori ndjesish: vetmi, nostalgji, reflektim dhe nevojë për përkrahje emocionale. Shpesh, një mesazh nga ish-partneri gjatë kësaj kohe nuk është domosdoshmërisht një rikonfirmim i dashurisë, por më tepër një përpjekje për të mbushur boshllëqe emocionale apo fizike. Prandaj, para se ai mesazh t’ju vërë në vështirësi emocionale, ndaluni dhe bëjini vetes një pyetje të thjeshtë, por thelbësore: pse po më shkruan pikërisht tani?