
Jeta shpesh na përball me sfida të ndryshme: disa të vogla, disa të mëdha dhe disa që duken krejtësisht të pakapërcyeshme. Një sfidë e tillë ishte edhe ajo e Manami Ito-s, violinistes nga Japonia, e cila një ditë humbi njërin krah dhe me të dukej sikur humbi edhe drejtimin e jetës së saj.
Por kjo nuk ishte fundi i historisë. Manami zgjodhi të mos dorëzohej dhe të rikrijonte fatin e saj. Sot, edhe pse me një krah, ajo vazhdon të ndjekë pasionin dhe ëndrrën e saj: violinën. Po, e lexuat saktë, ajo luan violinë dhe frymëzon këdo që e njeh apo e ndjek.
Historia e saj është dëshmi se kufijtë nuk i vendos trupi, por mendja dhe vullneti.Manami Ito përdor një protezë të posaçme të projektuar enkas për të luajtur violinë. Proteza është e përshtatur që të mbajë harkun dhe t’i lejojë asaj lëvizje të buta e të kontrolluara, të ngjashme me ato të një krahu natyral. Përpara se ta kishte këtë protezë, ajo eksperimentoi për vite me radhë, madje fillimisht përpiqej ta luante violinën duke e fiksuar harkun me këmbë.
Por jo gjithmonë Manami ndihej kështu, veçanërisht në ditët e errëta pas aksidentit, kur ishte vetëm 20 vjeçe.
“Mendova se do të mbyllesha në shtëpi për pjesën tjetër të jetës sime,” pranon ajo.
“Nuk doja që miqtë apo fqinjët të më shihnin trupin, nuk doja që të dinin çfarë më kishte ndodhur.”
Ajo ndryshoi qëndrim kur pa prindërit e saj “të lënduar thellë” nga gjendja e saj.
“Mendova se nuk mund t’i bëja ata të buzëqeshnin, nëse unë vetë nuk buzëqeshja,” thotë ajo.
E nxitur nga nëna e saj që në fëmijëri të luante violinë, pas aksidentit Manami vendosi ta provonte sërish. Fillimisht, ajo përpiqej ta luante duke e lidhur harkun me këmbë, por iu deshën vite derisa arriti të pajisej me një krah protezë të veçantë dhe të zotëronte tingujt e rrjedhshëm që prodhon sot.
Duke qenë një fëmijë që “e urrente humbjen dhe dështimin”, ajo nuk guxoi për një kohë të gjatë të luante para publikut. Por në fund, vendosmëria e saj fitoi.
“Dua t’i tregoj botës se vetëm sepse askush tjetër nuk e ka bërë më parë, nuk do të thotë që unë nuk mundem,” shprehet ajo.
Sot, Manami e mban harkun me krahun protezë dhe e lëviz përpara e mbrapa me shumë elegancë, duke prodhuar tinguj të pastër dhe emocionalë. Ajo përdor dorën e majtë për të shtypur telat në violinë, ndërsa proteza i jep stabilitet dhe fleksibilitet në ritëm dhe intensitet. Performanca e saj nuk është vetëm muzikë, por edhe një dëshmi e jashtëzakonshme e këmbënguljes, durimit dhe përshtatjes njerëzore.
