Adelajda Pinjolli

Kur je pjesë e një realiteti të formuar për një kohë të gjatë me disa “rregulla” specifike, është e vështirë të kuptosh problemin ose, më saktë, rëndësinë e tij. Deri ku mund të tolerohet ky problem? Ku është kufiri? Çfarë pasojash sjell tek një individ, tek një komunitet, tek e gjithë shoqëria?

Të gjithë, besoj, duke përjashtuar ata që e shkaktojnë problemin, bien dakord se mënyra se si e ngasin shumë persona makinën në Tiranë nuk është ajo e duhura. Ose, le të jemi të sinqertë dhe të mos qëndrojmë “politikisht korrekt”: mënyra si fluturojnë makinat në Tiranë është skandaloze. Shpejtësi e lartë, kalim me të kuqe, mosrespektim i vijave të bardha – të gjitha këto janë shkelje të rënda të qarkullimit rrugor.

Po, ka trafik të madh në Tiranë. Po, transporti publik nuk është ai që duhet. Por kjo është një temë tjetër, ku ndoshta do të ndalemi një herë tjetër. Le të qëndrojmë tani te timoni personal, te ai që secili prej nesh ka në dorë.
Profesori im në fakultet, në një bisedë të lirë me ne studentët, e shpjegoi këtë fenomen me tranzicionin që shoqëria shqiptare përjetoi në vitet ’90. Kalimi nga një shoqëri me pak sende në një shoqëri me shumë sende, në një kohë tejet të shkurtër – pra, nga gomari te makina – sjell një pasojë të qartë: moskuptimin se makina nuk është më gomari që kishe për vite me radhë. Vetëkontrollin, që dikur e kishte kafsha, tani duhet ta kesh ti.
Të gjesh arsyet e një problemi është një hap drejt zgjidhjes. Pse e ngasim makinën kaq keq në Shqipëri? Arsyet janë të shumta: lidhen me karakterin shoqëror, tranzicionin, varfërinë, mungesën e zbatimit të ligjit. Por arsyeja më konkrete është kjo: askush nuk ndëshkohet.

“Hiqe ligjin në Paris,” thoshte profesori im, “dhe njerëzit ‘aq të kulturuar’ aty fillojnë e hanë njëri-tjetrin.”
Kur shteti nuk reagon, ne duhet të reagojmë. Të ecësh çdo ditë me frikën se mos një makinë të përplas nga hiçi, mbi vijat e bardha apo në semafor, mund të duket një problem i vogël. Një problem me të cilin mund të “mbijetojmë”. Por ne nuk duhet të mbijetojmë – ne duhet të jetojmë.
Nuk është jetë dinjitoze kur nuk kalon dot i qetë rrugën, sepse dikush, djali apo vajza e dikujt tjetër, vendos të të marrë përpara ose të të bëjë presion të kalojë i pari.

Nëse ndodhesh vetëm dhe një shofer tenton të të imponohet me shpejtësi dhe agresivitet, reagimi duhet të jetë i matur. Dikush që e drejton makinën pa menduar për jetën e vet dhe të tjetrit, është i rrezikshëm. Akoma më keq kur mendon se “ka instinkt shoferi” dhe kontroll mbi situatën.
Por nëse jeni katër apo pesë veta, reagoni. Reagoni me plot kuptimin e fjalës. Le të bëhet sjellja e papërgjegjshme një sjellje turpi. Katër–pesë veta që i tregojnë një shoferi me xhama të zinj sa i papërgjegjshëm dhe injorant është nga mënyra se si e drejton makinën, ka ndikim. Dhe kur kjo ndodh çdo ditë, ndikimi bëhet real dhe serioz.
Mos e minimizoni më problemin e makinave në Tiranë. Është një problem i madh, por që me reagim kolektiv mund të rregullohet.

Më besoni: të ecësh qetë në rrugë është parajsë më vete