I ftuar në podcastin “Zë me Mirën”, Ylli Limani foli hapur për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij. Këngëtari tregoi se, pas një kohe të gjatë ku fajin për situatat që i ndodhnin e kërkonte te të tjerët, arriti të gjente guximin për ta kthyer gishtin nga vetja dhe për të gjetur përgjigjet e shumë pyetjeve. Pikërisht në atë moment, ai arriti t’i përkthente këto ndjenja në artin që di ta bëjë më mirë: muzikën.

“Nuk e kam thënë kurrë publikisht këtë, por shkova vetëm në një hotel në Brezovicë për tri ditë. Mora me vete një laps dhe një fletore. Deri në atë kohë po i bëja vetes pyetjet e gabuara dhe nuk merrja përgjigje. Pyetja ishte: ‘Pse po më ndodhin mua këto gjëra? Pse nuk po marr atë që më takon? Pse janë njerëzit kaq të poshtër?’ Por përgjigjja nuk vinte. Kur e bëra pyetjen e duhur – ‘Pse ke përfunduar këtu, në këtë pikë të jetës tënde, ku je i palumtur dhe ke sakrifikuar gjithë rininë për diçka që, kur ndalet bota, nuk të lejon të jetosh normal?’ –atëherë gjithçka ndryshoi. Kështu kalova tri ditë intensive, me shumë ballafaqime me veten,” rrëfeu ai.

Më pas, Ylli tregoi se u kthye pranë familjes, filloi të fliste më shumë me nënën, babanë dhe motrën, dhe gjithçka duket se mori rrjedhën e vet.

Prej disa ditësh, Ylli Limani ka publikuar albumin e tij më të ri, “Thirrëm sot ose nesër”. Në intervista të ndryshme, ai ka folur për frymëzimin që qëndron pas këtij albumi voluminoz dhe shumë të ndjerë, i cili përbëhet nga 16 këngë të reja.

Këngëtari shpjegoi se këto 16 këngë përfaqësojnë krizat e dy viteve të fundit. Krijimi i albumit nisi menjëherë pas përfundimit të albumit të kaluar, ndërsa periudha më intensive ka qenë dy deri në tre muajt e fundit.
I pyetur nga gazetarja Mira Kazhani nëse ky album mund të kishte edhe synime ndërkombëtare, Ylli u përgjigj se nuk e kishte menduar kaq larg.

Ylli Limani është një këngëtar që i ka kënduar dashurisë, humbjes, shpresës, besimit dhe frikërave njerëzore, dhe duket se në këtë album ai ka arritur, përmes shkrimit dhe kompozimit të këngëve, të shprehë ndjesitë e tij më të thella dhe ta bëjë këtë me sukses.