
Një ngjarje e rëndë është bërë publike këtë të shtunë, pasi familjarët e gazetarit dhe ish-banorit të “Big Brother Albania”, Elton Tozaj, njoftuan se ai është sulmuar fizikisht dhe ka pësuar dëmtime serioze, duke rrezikuar të humbasë shikimin.
Sipas njoftimit të publikuar në llogarinë e tij në Instagram (i shkruar nga familjarët), ngjarja ka ndodhur “ditën e djeshme” rreth orës 19:30 në autostradën Tiranë–Durrës. Familja pretendon se autorët janë “persona tashmë të identifikuar”, ndërsa gjendja e Tozajt përshkruhet si një “luftë” për të mos humbur shikimin.
Në të njëjtin njoftim, familjarët nuk u ndalën vetëm te denoncimi i dhunës. Ata hodhën edhe një thirrje publike ndaj një personazhi “të njohur të ekranit”, pa e përmendur me emër, duke kërkuar distancim dhe sqarim publik për lidhjen e saj me një “trekëndësh” vendesh të përmendura në mesazh: “Rruga Ura – Patok – Kodra e Diellit”.
Deri në këto momente, informacionet që qarkullojnë në media bazohen kryesisht te deklarata e familjarëve dhe postimi në rrjete sociale; rrethanat dhe motivet mbeten të paqarta dhe pritet një sqarim zyrtar nga autoritetet për ngjarjen dhe hetimet përkatëse.

