Përkthyer nga Vogue

Kur Sarah Jenkins, 41 vjeç, u tha shoqeve se gjërat po bëheshin serioze me djalin 25 vjeç që kishte njohur në Bumble, reagimi i tyre ishte i menjëhershëm dhe i pritshëm: “Po ai është 16 vjet më i vogël se ti”. Sikur ajo të mos e kishte bërë tashmë llogarinë.

“Isha e lodhur nga takimet me burra në të 40-at, që prapë kishin frikë të angazhoheshin, ishin të hidhëruar pas divorcit ose emocionalisht të mbyllur”, thotë Sarah. “Kur u përputha me Leon, mendova se do të ishte thjesht një aventurë. Por pas takimit të parë, e kuptova se ishte ndryshe. Ishte i këndshëm, i ëmbël, dhe mbi të gjitha kishte një lloj vetëdije emocionale, një gjuhë që unë kisha kaluar një dekadë duke e mësuar në terapi. Aty më ra ndër mend: kjo gjeneratë është rritur me këto gjëra”.

Historia e Sarah pasqyron një ndryshim më të gjerë kulturor. Hollywood për vite të tëra i ka portretizuar marrëdhëniet ku gruaja është më e madhe në moshë dhe burri më i ri me klishe të vjetra: “cougar” grabitqare, fantazi adoleshenti, ose më keq, gruaja “e dëshpëruar” që kapet pas rinisë. Por filmat e fundit, si Bridget Jones: Mad About the Boy, sinjalizojnë se narrativa po ndryshon. Një sondazh i Bumble ka treguar se 59 për qind e grave janë të hapura për të dalë me burra më të rinj, ndërsa kërkimi i edukatorit seksual Justin Lehmiller në Psychology of Women Quarterly ka gjetur se gratë më të mëdha në moshë, në marrëdhënie me burra më të rinj, raportojnë nivelin më të lartë të kënaqësisë mes çifteve me diferencë moshe.

Versioni më i ri i këtij trendi është ndoshta edhe më interesant: gratë millennial me burrat Gen Z. Burrat e Gen Z janë rritur në një epokë ku terapia dhe ndërgjegjësimi për shëndetin mendor janë normalizuar, dhe kjo i tërheq disa gra millennial, sidomos ato që kanë bërë punën e tyre me veten ose janë lodhur duke mbajtur të vetme gjithë “peshën emocionale” në marrëdhëniet e mëparshme.

Për këto gra, tërheqja shkon shumë përtej fizikut apo energjisë në shtrat. “Nuk i tërheq diferenca e moshës, por një nivel tjetër akordimi emocional”, shpjegon Sascha Haert, trajnere e inteligjencës së marrëdhënieve. “Burrat millennial janë formuar nga një model më stoik dhe vetëmbrojtës i maskulinitetit, ku cenueshmëria shpesh ndihej e pasigurt.” Te burrat e Gen Z, përkundrazi, “forca mashkullore” shpesh shfaqet edhe si aftësi për të folur për emocionet, të përmendësh frymëmarrjen si teknikë, banjat me akull apo stilet e lidhjes, me një lehtësi që gjeneratat e mëparshme nuk e kanë mësuar.

Ky kontrast mund të jetë i fortë edhe për vetë gratë. Një javë mund të jesh në takim me një 27 vjeçar që sapo është kthyer nga një ceremoni ayahuasca në Peru dhe po shpjegon si “mjekimi” i ka shëruar traumën e fëmijërisë. Javën tjetër, përballë teje është një 45 vjeçar që i vë fajin të gjitha ish-partnereve për pse marrëdhëniet e tij nuk funksionojnë. Edhe Tracee Ellis Ross, 52 vjeçe, ka thënë publikisht se del me burra më të rinj për të shmangur maskulinitetin toksik që, sipas saj, është më i përhapur te gjenerata e saj.

“Pothuajse gjithmonë kam dalë me burra më të rinj dhe sa më shumë rritem, aq më shumë mosha e tyre mbetet pothuajse e njëjtë, rreth të 20-ave të mesme”, thotë Janel Higgs, 37 vjeçe. “Burrat e moshës sime ose më të mëdhenj vijnë me shumë bagazh: mungesë dëshire për komunikim, për të punuar me emocionet, ose për t’u hapur sinqerisht. Burrat millennial, në veçanti, duken të bllokuar në një model të trashëguar nga prindërit e tyre, ku mendojnë se nuk kanë pse të punojnë me veten apo të rriten.”

Romy Lazzara, 40 vjeçe, e sheh ngjashëm. “Takimet me burra Gen Z kanë qenë çliruese. Është më e lehtë të komunikosh me ta, janë të sinqertë dhe, çuditërisht, më bujarë me kohën dhe vëmendjen.” Por ajo nuk i idealizon: “Nuk janë shenjtorë. Shumë prej tyre ende nuk janë gati për angazhim. Mendoj se një pjesë është edhe naiviteti që, në njëfarë mënyre, u punon në favor.”

Ekspertja e intimitetit dhe marrëdhënieve Michaela Boehm, autore dhe këshilluese, thotë se kjo prirje shpjegohet edhe nga “matematika” e tregut të takimeve. Sipas saj, kur një grua është në të 30-at e vona e sipër, burrat e moshës së saj shpesh synojnë më të reja, dhe kjo thellohet në të 40-at dhe të 50-at. Si rezultat, “pishina” e takimeve me bashkëmoshatarë ngushtohet në mënyrë dëshpëruese: burra të sapodivorcuar që kërkojnë një lidhje “për t’u rikuperuar” ose seks pa kërkesa, burra të martuar që tradhtojnë, ose beqarë kronikë që ndjekin vazhdimisht gra më të reja. Kjo lë dy mundësi që për disa gra duken më logjike: burra më të mëdhenj që shpesh “duan gjëra të tjera”, kanë më pak energji dhe vijnë me shumë bagazh, ose burra më të rinj që “përputhen me energjinë tonë”, kanë më pak barrë emocionale dhe përputhen më mirë me dëshirën për aventurë.

Por jo gjithçka është bisedë e thellë dhe ikje spontane. Diferenca e madhe e moshës mund të sjellë rreziqe dhe pengesa reale. Një grua në të 40-at mund të dojë fëmijë, martesë, të ndërtojë një biznes, ose të paktën një jetë të stabilizuar. Ndërkohë, një burrë në të 20-at e mesme mund të jetë ende në fazën e studimeve, të dojë të udhëtojë, të eksperimentojë, ose të mos jetë gati për vendime të mëdha afatgjata. Ka edhe një faktor biologjik që shpesh përmendet: korteksi prefrontal, pjesa e trurit që lidhet me planifikimin dhe kontrollin e impulseve, mendohet se arrin pjekurinë e plotë më vonë, zakonisht në fund të të 20-ave ose në të 30-at e para.

Një shembull tjetër vjen nga Franziska Ienz, 40 vjeçe, e cila thotë se burri i saj ishte vetëm 22 vjeç kur u njohën. “Çuditërisht, ai ishte më i angazhuar për ta bërë të funksiononte sesa ish-partneri im, që ishte më i madh se unë.” Pas dy vitesh bashkë, asaj iu diagnostikua endometrioza dhe iu tha se, nëse donte fëmijë, duhej t’i kishte sa më shpejt. Edhe pse ishte më herët se ç’e kishin planifikuar, ai e mbështeti, sepse e dinte që në të ardhmen gjithsesi donte të bëhej prind.

Testi i vërtetë erdhi pasi erdhi fëmija. “Ramë dakord të punonim të dy me kohë të pjesshme dhe t’i ndanim të gjitha përgjegjësitë. Por ai e kishte nënvlerësuar sa përpirëse është kujdesi për fëmijën dhe e pati të vështirë me sakrificat.” Kur ajo propozoi terapi në çift, ai e pranoi, diçka që ish-partneri i saj, sipas Franziskës, nuk do ta kishte bërë kurrë.

Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi. Gratë nuk janë më të gatshme të pranojnë partnerë që nuk vijnë “në mes të rrugës”, pavarësisht statusit, të ardhurave apo asaj që shoqëria e quan të përshtatshme për moshën. Ndërsa burrat e Gen Z po vendosin një standard të ri për inteligjencën emocionale, burrat më të mëdhenj përballen me një zgjedhje të qartë: të evoluojnë ose të mbeten pas.