Artistja fituese e çmimeve Grammy, 44 vjeçe, i është bashkuar njerëzve më të pasur në botë pas suksesit të turneut të saj Cowboy Carter, i cili arkëtoi mbi 400 milionë dollarë nga shitja e biletave dhe edhe 50 milionë dollarë të tjerë nga shitja e produkteve (merchandising). Turneu i saj i mëparshëm, Renaissance World Tour, solli rreth 579 milionë dollarë.

Bashkëshorti i saj, Jay-Z, ishte muzikanti i parë që u bë miliarder në listën e Forbes në vitin 2019. Rihanna, Bruce Springsteen dhe Taylor Swift e kanë arritur gjithashtu këtë status elitar.

Edhe pse Beyoncé ka nisur disa sipërmarrje përfshirë markën e kujdesit për flokët Cécred, markën e uiskit SirDavis dhe linjën e veshjeve Ivy Park sipas Forbes, pjesa më e madhe e pasurisë së saj personale vjen nga muzika: përfshirë të ardhurat nga katalogu i këngëve dhe nga turnetë globale. Në 2010, ajo themeloi Parkwood Entertainment, një kompani menaxhimi dhe produksioni, duke sjellë “brenda shtëpisë” kontrollin e të gjitha projekteve të saj artistike përfshirë muzikën, koncertet dhe dokumentarët.

Albumi i saj i vitit 2024, Cowboy Carter, u prit shumë mirë nga kritika dhe i solli Beyoncé-së fitoren e parë të çmimit Albumi i Vitit në Grammy. Turneu që pasoi publikimin e albumit ishte turneu muzikor me xhiron më të lartë në botë për vitin 2025. Prodhimi treditorësh përfshinte paraqitje si të ftuar të bashkëshortit të saj, fëmijëve dhe ish-shoqeve të grupit Destiny’s Child.

“Në çdo kategori të industrisë së argëtimit, praktikisht nuk ka sipërmarrje më fitimprurëse sesa një muzikant që arrin të mbushë stadiume,” shkroi Forbes duke vënë në dukje se turneu punësoi 350 anëtarë të stafit, përdori pajisje sa 100 kamionë të mëdhenj (semi-trucks) dhe kërkoi tetë avionë cargo 747 për ta lëvizur shfaqjen nga një qytet në tjetrin.

Beyoncé e nisi karrierën si pjesë e grupit pop Destiny’s Child, përpara se të niste karrierën solo në fillim të viteve 2000. Ajo mban rekordin si artistja më e vlerësuar dhe më e nominuar në historinë e Grammy. Artistja fitoi gjithashtu një shumë të vlerësuar prej 50 milionë dollarësh për shfaqjen e pauzës “Beyoncé Bowl” në vitin 2024 për ndeshjen e Krishtlindjeve të NFL, dhe 10 milionë dollarë për të luajtur në reklamat e Levi’s.
Në 2025, sipas Forbes, në botë ka më shumë se 3,000 miliarderë.