Babai i banorit të “Big Brother VIP 5”, Mali, Faik Retkoceri, është shtruar në spital dhe ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore, duke bërë të pamundur pjesëmarrjen e tij në intervistën e planifikuar për emisionin “Ftesë në 5”, me moderatore Bieta Sulo.

Lajmi u bë i ditur nga vetë moderatorja gjatë transmetimit, e cila sqaroi se mungesa e Faik Retkocerit u kuptua vetëm pak minuta përpara lidhjes direkte. Sipas Sulos, gjatë përpjekjes për ta kontaktuar, në telefon është përgjigjur motra e tij, e cila jeton në Francë.

“Pak minuta para provës për lidhjen direkte, na erdhi një mesazh. Kur telefonuam me mendimin se do të flisnim me Faikun, në telefon doli motra e tij”, u shpreh Bieta Sulo.

Në mesazhin e dërguar nga motra e Faikut, Rema Retkoceri, thuhej se ai ndodhej në spital duke marrë infuzion dhe se gjendja e tij ishte përkeqësuar. Sipas saj, arsyeja lidhej me vështirësinë për të përballuar komentet dhe reagimet në rrjetet sociale, çka, siç u pretendua në mesazh, kishte ndikuar në gjendjen e tij emocionale.

Moderatorja shtoi se, gjatë bisedës telefonike, familjarja kishte theksuar se përkeqësimi emocional ishte i konsiderueshëm dhe për këtë arsye ai ishte dërguar menjëherë në spital, duke kërkuar mirëkuptimin e stafit të emisionit.

Kujtojmë se gjatë spektaklit të së shtunës, Faik Retkoceri hyri në shtëpinë e “Big Brother VIP 5” për të takuar djalin e tij, Malin, pas një periudhe rreth shtatëvjeçare pa kontakt. Takimi, megjithatë, nuk u realizua, pasi Mali zgjodhi ta përjetojë këtë moment jashtë shtëpisë, pas përfundimit të rrugëtimit të tij në reality show.