Antigona Ramosaj, nëna e këngëtares së njohur Beatrix Ramosaj, ka ndarë publikisht një prej sfidave më të vështira të jetës: përballjen me kancerin. Në një postim në rrjetet sociale, ajo bëri të ditur se ka përfunduar seancën e parë të kimioterapisë, duke pranuar lodhjen fizike, por edhe duke theksuar mirënjohjen për çdo mesazh, lutje dhe fjalë zemre që ka marrë.

“Po kaloj një nga betejat më të vështira të jetës sime”, shkruan Antigona, teksa falënderon miqtë dhe familjarët për praninë në këtë etapë delikate. Ajo thekson se e ka bërë publike këtë përvojë me një arsye të qartë: ndërgjegjësimin e vajzave dhe grave që të mos i neglizhojnë kontrollet mjekësore, edhe kur shqetësimet duken të vogla.

Reagimi i saj u pasua menjëherë nga një mesazh emocional i Beatrix Ramosaj, e cila e quajti të ëmën “forca” dhe “heroina” e jetës së saj, duke vënë në pah qëndrueshmërinë e saj edhe kur dhimbja mundohet ta rrëzojë. “Ti do t’ia dalësh, mami”, shkruan këngëtarja.