Mbrëmjen e djeshme në Prishtinë është raportuar një ngjarje e rëndë dhune, ku në qendër të një përplasjeje fizike janë përmendur dy emra të njohur të muzikës, me pasoja serioze për njërin prej tyre.
Raportohet se reperi Finem, së bashku me një grup shokësh, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj këngëtarit Butrint Imeri, i cili si pasojë thuhet se ka pësuar lëndime të konsiderueshme.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pranë një hoteli në Prishtinë, në rrethana që ende mbeten të paqarta. Për shkak të gjendjes shëndetësore, Imeri raportohet se ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe është paraqitur për trajtim në QKUK, ku ka marrë asistencën e nevojshme.
Deri në këtë fazë nuk ka një reagim zyrtar nga palët e përfshira, ndërsa motivet e konfliktit nuk janë bërë publike.
Në përpjekje për të marrë një konfirmim zyrtar, është kontaktuar edhe zëdhënësi i Policisë për Prishtinë, Agron Borovci, i cili ka bërë me dije se aktualisht nuk ka informacion të detajuar mbi rastin, por është shprehur se do të përpiqet të sigurojë të dhëna shtesë.
