Hyrja e Mateos në “Big Brother VIP Albania” ndezi menjëherë debat, por jo vetëm për efektin në dinamikat e shtëpisë. Ajo që tërhoqi vëmendjen e publikut ishte reagimi i Brikenës: i ftohtë, refuzues dhe i prerë.
Për të shuar aludimet dhe komentet në rrjet, ka reaguar Anaid Kaloti (fitues i “Big Brother 6”), i cili ka ndarë në Instagram një sqarim të detajuar, duke hedhur dritë mbi “krisjen” e raportit të dyshes jashtë shtëpisë.
Sipas Anaidit, njohja mes Mateos dhe Brikenës nuk ka qenë sporadike. Ai thekson se komunikimi i tyre ka zgjatur gjatë dhe nuk bëhet fjalë për një shkëmbim të shkurtër:
“Mateo dhe Brikena nuk kanë shkëmbyer disa mesazhe, por kanë folur 1 vit bashkë me mesazhe,” –shkruan ai, duke lënë të kuptohet se investimi emocional ka qenë i konsiderueshëm nga të dyja palët.
Sipas tij, Brikena ka kërkuar që gjërat të bëheshin më “prezente” dhe më të qarta, përfshirë edhe takimin me familjarët e saj. Por Mateo, sipas Anaidit, e ka refuzuar në atë kohë.
“Në një x-moment kur gjërat janë dashur të bëhen prezente, Brikena i ka kërkuar të takohet me familjarët e saj. Mateo nuk ka pranuar pasi ka dashur të njohë njëherë vajzën, pastaj familjen,” –sqaron ai.
Në të njëjtin reagim, Anaid Kaloti thotë se hyrja e Mateos nuk ka qenë e motivuar vetëm nga Brikena, por edhe nga ambicia personale e tij në lojë. Ai përmend gjithashtu se ekziston vetëm një foto/screenshot mes tyre, diçka që sipas tij e dinin të dyja palët dhe produksioni.
Nga ana tjetër, Anaidi del në mbrojtje të Brikenës përballë komenteve negative në rrjet, duke i quajtur disa komentues “hirerikë”, duke e cilësuar atë si “supergocë” dhe duke kërkuar që të mos hidhet baltë mbi vajzat.
