
Timothée Chalamet shfrytëzoi fitoren e çmimit ”Aktori më i Mirë” në Critics Choice Awards 2026 për të falenderuar publikisht partneren e tij prej vitesh, Kylie Jenner, duke mbajtur një nga fjalimet më të përfolura të mbrëmjes.
Pasi falenderoi të nominuarit e tjerë, ekipin e tij dhe regjisorin e filmit, Josh Safdie, Chalamet e përqendroi vëmendjen te Jenner, e cila ndodhej në sallë.
“Dhe së fundmi, dua të falenderoj partneren time prej tre vitesh. Faleminderit për bazën që kemi ndërtuar së bashku,” tha Chalamet nga skena. “Nuk do t’ia dilja pa ty. Faleminderit nga zemra.”
Kamerat kaluan menjëherë te Kylie Jenner, e cila iu përgjigj duke thënë “Të dua”, duke nxitur duartrokitje në sallë dhe reagime të menjëhershme në rrjetet sociale. Ky moment u konsiderua një nga shfaqjet më publike të çiftit që nga paraqitjet e tyre në evente të mëdha të industrisë.
Dukshëm i emocionuar, Chalamet pranoi në fillim të fjalimit se momenti e kishte prekur më shumë nga sa priste. “Jam më nervoz sesa mendoja,” tha ai, përpara se të theksonte punën krijuese pas filmit. Ai veçoi bashkëskenaristin dhe regjisorin Josh Safdie për mënyrën se si ndërtoi historinë.
“Ti krijove një histori për një njeri me mangësi, por me një ëndërr të kuptueshme, pa i dhënë leksione publikut se çfarë është e drejtë apo e gabuar,” u shpreh Chalamet. “Mendoj se duhet të tregojmë më shumë histori të tilla.” Aktori u nderua për rolin e tij në filmin “Marty Supreme”, ku interpreton Marty Mauser, një lojtar profesionist pingpongu që ndjek me këmbëngulje një ëndërr ambicioze.
Kategoria “Aktori më i Mirë” ishte ndër më konkurrueset e mbrëmjes, ku Chalamet la pas emra të mëdhenj si Leonardo DiCaprio (One Battle After Another), Joel Edgerton (Train Dreams), Ethan Hawke (Blue Moon), Michael B. Jordan (Sinners) dhe Wagner Moura (The Secret Agent).
