
Për vite me radhë, mbështetësit e dietave “vetëm me lëngje” kanë pretenduar se pirja e lëngjeve e “rindez” organizmin dhe madje e “detoksifikon” trupin. Disa thonë se ndihmon edhe në rënie në peshë. Por kjo është një temë e debatueshme: studime të ndryshme sugjerojnë se dietat me lëngje mund të dëmtojnë florën intestinale dhe të përkeqësojnë inflamacionin.
Një studim i vogël, i publikuar në janar në revistën Nutrients, sugjeron se edhe vetëm tre ditë dietë e bazuar te lëngjet mund të ndikojnë në shëndetin e zorrëve. Sipas studiuesve, kjo mund të ketë pasoja si në tretje, ashtu edhe në shëndetin kognitiv.
Çfarë gjeti studimi?
Studimi përfshiu 14 persona që për tre ditë ndoqën një nga këto tre regjim-e:
-dietë vetëm me lëngje
-dietë me lëngje + ushqime të ngurta
-dietë bimore (plant-based)
Pjesëmarrësit dhanë mostra nga feçet, pështyma dhe mukoza e brendshme e faqeve para dietës, menjëherë pas saj dhe 14 ditë pas përfundimit.
Studiuesit vunë re se personat që kishin ndjekur dietën vetëm me lëngje kishin një rritje të baktereve pro-inflamatore, diçka që lidhet me përmbajtjen e lartë të sheqerit dhe mungesën e fibrave në këtë lloj ushqyerjeje. Në këtë grup u gjet gjithashtu rritje e baktereve të lidhura me:
-rritjen e përshkueshmërisë intestinale (aftësia e barrierës së zorrës për të kontrolluar çfarë kalon në gjak),
-inflamacionin,
-dhe rënien kognitive.
Në përfundim, studiuesit shkruan se edhe konsumimi afatshkurtër i lëngjeve si “dietë” mund të ketë ndikim negativ mbi florën intestinale. Dietologët e pyetur nuk u habitën: këto të dhëna, sipas tyre, i shtohen provave në rritje se edhe ndërhyrje të shkurtra dietike mund të ndryshojnë mikrobiomën.
Pse mund të jenë problem dietat me lëngje?
Ekspertët japin disa arsye kryesore:
Humbja e fibrave: Kur konsumon fruta/perime të plota, merr fibra, shumë të rëndësishme për zorrën. Kur i shtrydh, shumica e fibrave humbet dhe mbetet kryesisht sheqer. Një dietë e pasur me sheqer dhe e varfër me fibra nuk është e mirë për shëndetin intestinal.
Mungesa e fibrave të patretshme: Shtrydhja heq edhe fibrat e patretshme që rrisin volumin e feçeve dhe ndihmojnë tretjen. Këto fibra ushqejnë bakteret “e mira” dhe mbajnë florën të ekuilibruar. Kur mungojnë, mund të favorizohet rritja e baktereve që “ushqehen” me sheqerna të thjeshtë, të lidhura me inflamacionin.
Sheqeri rrit mikroorganizmat më pak të shëndetshëm: Sasia e lartë e sheqerit në lëngje mund të nxisë rritjen e mikrobeve më pak të dobishme. Mikroflora, në një farë mënyre, pasqyron atë që ha çdo ditë.
A bëjnë dëm dietat me lëngje?
Në përgjithësi, dietat “vetëm me lëngje” nuk konsiderohen të shëndetshme. Premtimi për “detoks” dhe rënie të shpejtë në peshë duket joshës, por rezultati shpesh është i rremë: pesha bie sepse ha më pak, urinon më shpesh dhe ndonjëherë ke edhe më shumë jashtëqitje, por humbja është kryesisht ujë.
Përveç ndryshimit të florës intestinale (që ndikon tretjen dhe imunitetin), lëngjet mund të sjellin edhe probleme me sheqerin në gjak, duke shkaktuar luhatje të forta. Nëse këto “pika” të sheqerit përsëriten shpesh, rritet rreziku për insulino-rezistencë, një gjendje që paraprin diabetin e tipit 2.
Inflamacioni, po ashtu, është shqetësim serioz: lidhet me sëmundje kronike si kardiovaskularet, diabeti dhe çrregullimet neurodegjenerative. Një dietë 3-ditore mund të mos lërë dëme të përhershme te një person i shëndetshëm, por agjërimet e përsëritura ose të zgjatura me lëngje mund të kenë efekt negativ të grumbulluar.
