
Kush mendoi se i tha “lamtumirë” përgjithmonë Sottosoprës, ka gabuar keq. Më 12 janar në Netflix vjen dokumentari “Stranger Things 5”, një udhëtim i vërtetë në prapaskenat e sezonit të fundit të sagës kult të firmosur nga vëllezërit Duffer.
Sepse fansat, le ta pranojmë, nuk kënaqen me një fund të vetëm. Dhe ndërkohë që finalja po afron, ata janë tashmë gati për tre spin off të paralajmëruar: “Stranger Things: Tales from ’85” (serial i animuar i vendosur mes sezonit të dytë dhe të tretë), një projekt live action me kast krejt të ri, plus një projekt tjetër ende pa titull. Këto janë stacionet e radhës në rrugën e Sottosoprës, por jo të vetmet. Para se publiku të futet në këto territore të reja, do të ketë mundësinë të ecë edhe një herë krah kastit historik, në një lloj “përcjelljeje” emocionale të këtij fenomeni gjeneracional.
View this post on Instagram
Dokumentari nuk është thjesht një shëtitje nostalgjie për episodet e fundit. Është, sidomos, ajo energjia e ditës së fundit në set, ajo ndjesia kur mbyllet një epokë dhe të ngelet diçka në grykë. E drejton Martina Radwan, e cila i ka thënë Variety: «Të kalosh një vit të tërë në set ka qenë një privilegj i vërtetë». Dhe i vetmi “peng”? «Të mos mundesha të udhëtoja në kohë e të dokumentoja katër sezonet e para».
Trailer i dokumentarit hapet me leximin e skenarit të episodit final, i cili u vu në dispozicion nga platforma më 1 janar. Ross Duffer komenton: «Të shkruaje fjalitë e fundit që këta personazhe do të thonë ndonjëherë, ka qenë e vështirë». Matt i bashkohet: «Mbi të gjitha më kujtohet momenti kur shkrova “Fund serie”. T’i shkruaje këto dy fjalë pati një ndikim të madh tek unë». Duken Noah Schnapp dhe Millie Bobby Brown duke qarë në një divan, ndërsa aktorja shton: «Nuk jam gati ta lë të ikë» (serialin, domethënë).
Vëllezërit e shoqëruan njoftimin edhe me një deklaratë që kthehet pas në fëmijërinë e tyre në Durham, North Carolina, kur ëndërronin të bëheshin film maker dhe Hollivudi dukej i paarritshëm. Gjithçka ndryshoi, sipas tyre, pikërisht duke parë një prapaskenë, atë të “The Lord of the Rings”. Ata donin të provonin adrenalinën, por edhe stresin e Peter Jackson gjatë prodhimit, dhe e imagjinonin veten duke jetuar e ndërtuar diçka epike. «Nëse e doni Stranger Things», shkruajnë ata, «ose thjesht ju apasionon si funksionon një prodhim i madh hollivudian, ky është projekti i duhur për ju».
