
Dhjetë persona u gjykuan nga Gjykata Penale e Parisit pasi kishin publikuar ose shpërndarë në rrjete sociale batuta, fyerje, fotomontazhe dhe karikatura të ndryshme ku përsëritej pretendimi se Brigitte Macron “ishte burrë”. Të dhjetë u shpallën fajtorë dhe u dënuan me masa që shkojnë deri në gjashtë muaj burg.
Përveç dënimeve, gjykata urdhëroi që secili prej tyre të ndjekë një “kurs ndërgjegjësimi për respektin ndaj njerëzve në mjedisin digjital dhe parandalimin e veprave penale online, përfshirë cyberbullying”. Po ashtu, të dhjetë duhet t’i paguajnë Zonjës së Parë të Francës shumën 10.000 euro si dëmshpërblim moral.
Gjykata bëri edhe një ndarje mes roleve të të pandehurve. Nga njëra anë, “nxitësit”, si Aurélien Poirson-Atlan, 41 vjeç, i njohur si “Zoé Sagan” në Facebook dhe X, i cili për vite me radhë ishte një nga përhapësit kryesorë të këtij thashethemi për Brigitte Macron, edhe pse, siç këmbënguli në sallë, ai “thjesht” kishte ripostuar “hetime” të “gazetarëve të pavarur”. Për serinë e postimeve, ndaj tij u dha një dënim me tetë muaj burg me kusht.
Pastaj është “mediumja” Delphine J., e njohur si Amandine Roy, e cila ishte burimi i një videoje virale katërorëshe të publikuar në YouTube në vitin 2021 (më pas e tërhequr). Ajo u dënua me gjashtë muaj burg me kusht dhe me pezullimin e llogarive të saj online për gjashtë muaj. Në seancë, “si grua”, ajo pretendoi se ishte ndier “e sulmuar” nga identiteti i supozuar trans i Zonjës së Parë.
Në listë ishte edhe Bertrand Scholler, galerist parizian, i njohur për qëndrime anti-vaksinë dhe pro-ruse, me mbi 100.000 ndjekës në X, i cili në vitin 2024 kishte publikuar një fotomontazh fyese të Brigitte Macron. Edhe ai mori të njëjtin dënim.
Shtatë të pandehurit e tjerë, me profile të ndryshme, drejtues kompanish, përfaqësues të zgjedhur, mësues, u përshkruan nga prokurori si “ndjekës” dhe morën dënime më të lehta.
Në gjykatë, të pandehurit, të gjithë të njohur me botën e teorive konspirative, u përpoqën ta mbrojnë veten duke thirrur “sensin e humorit”, madje edhe “frymën e Charlie Hebdo”. Të gjithë thanë se ishin të tronditur ose të indinjuar nga diferenca e moshës mes Brigitte dhe Emmanuel Macron, dhe disa përdorën shprehjen “14-39” për të përshkruar çiftin presidencial, një referencë ndaj moshës në të cilën presidenti aktual dhe bashkëshortja e tij janë njohur.
Në sallë dëshmoi edhe Tiphaine Auzière, vajza e Brigitte Macron: “Doja të flisja për mënyrën si ka qenë jeta e nënës sime që nga fillimi i këtyre sulmeve. Kam parë një ndryshim, një përkeqësim në mënyrën e saj të të jetuarit”. Sipas saj, bashkëshortja e Kreut të Shtetit është “e detyruar të bëjë kujdes se çfarë vesh dhe si sillet, sepse e di që imazhi i saj mund të keqinterpretohet”.
Sipas të bijës, Brigitte Macron ka mësuar të jetojë me këtë, por “nuk mund t’i injorojë të gjitha tmerrësitë që dëgjon për veten”. Dhe kjo, thotë ajo, bie edhe mbi familjen, veçanërisht mbi nipërit, të cilët në parkun e lojërave dëgjojnë: “Gjyshja juaj, në fakt, është gjyshi juaj”.
