
Nicole Kidman dhe Keith Urban e kanë finalizuar zyrtarisht divorcin, sipas dokumenteve gjyqësore të depozituara të martën, ku përshkruhen edhe pikat kryesore të marrëveshjes mes tyre.
Sipas kësaj marrëveshjeje, ish çifti ka rënë dakord të heqë dorë nga çdo e drejtë për mbështetje financiare, si për fëmijët ashtu edhe mes bashkëshortëve. Në dokumente thuhet se asnjëri nuk do të paguajë “child support”, duke u justifikuar me faktin që të ardhurat mujore të raportuara për secilin prej tyre i kalojnë 100 mijë dollarë.
Sa i përket kujdestarisë, dy vajzat e tyre, Sunday Rose 17 vjeçe dhe Faith Margaret 15 vjeçe, do të qëndrojnë me Nicole Kidman për 306 ditë të vitit. Ndërkohë, Keith Urban ka të drejtën t’i mbajë “çdo fundjavë të dytë”, pra në fundjavat alternative.
Edhe çështja e pasurisë është zgjidhur me mirëkuptim: pronat dhe asetet, përfshirë investimet, llogaritë bankare, mobiliet, pajisjet shtëpiake, automjetet dhe sendet personale, do të ndahen me marrëveshje të përbashkët, ndërsa secili do të mbajë atë që aktualisht ka në zotërim.
Po ashtu, të gjitha pretendimet për alimentacion dhe mbështetje bashkëshortore janë hequr, dhe secili do të mbulojë vetë shpenzimet dhe tarifat ligjore.
Nuk dihet nëse çifti kishte një kontratë paramartesore.
Edhe pse ishte planifikuar një seancë, Nicole Kidman ka hequr dorë nga e drejta për t’u paraqitur në gjykatë, pasi ishte kthyer një ditë më parë nga Australia, ku kishte kaluar festat me vajzat.
Në shtator 2025 u raportua se Kidman dhe Urban po ndaheshin pas 19 vitesh martesë. Më pas, më 30 shtator, Kidman paraqiti kërkesën për divorc me arsyetimin “dallime të papajtueshme”. Thuhet gjithashtu se ata kishin jetuar të ndarë që në fillim të verës 2025.
Pas ndarjes qarkulluan thashetheme se Urban mund të ishte i përfshirë romantikisht me kitaristen e tij, Maggie Baugh, por këto u mohuan nga një person pranë saj.
Nicole Kidman dhe Keith Urban u njohën në janar 2005, në një event G’Day USA, dhe u martuan një vit më pas, në 2006.
Kidman ka qenë më parë e martuar me Tom Cruise nga viti 1990 deri në 2001, dhe së bashku kanë dy fëmijë, Bella 32 vjeçe dhe Connor 30 vjeç.
