E hapur sikur po thua “s’ma ndien”, por në mënyrë elegante. Si një gjest i shpërqendruar, i dikujt që nuk e vret mendjen nëse i duket çfarë ka brenda. Dikur ishim mësuar me çantat që i mbushnim me gjithçka: fletore, shalle të bërë top, gjëra pa ndonjë rëndësi deri sa mbyllja të bëhej praktikisht e pamundur.

Sot çanta mbahet kështu: e hapur.  Një hyrje në privatësi e diktuar nga shtëpitë e mëdha të modës, që mesa duket kanë gjetur “lojën” e radhës: ta kthejnë çantën në rrëfim të dukshëm.

Shembulli tipik vjen nga Loewe: drejtorët e rinj kreativë, Jack McCollough dhe Lazaro Hernandez, e lënë ikonën Arizona qëllimisht hapur, pa e mbyllur me zinxhirin që ekziston një gjest i vetëdijshëm, paksa lojcak, që sugjeron mënyra të reja mbajtjeje. Dhe i shkon për shtat atmosferës së koleksionit, bashkë me ato “jelly shoes” që na kthejnë te kujtimet fëminore.

Edhe te Fendi, Peekaboo mbetet e hapur por me një rregull të pashkruar: mos e mbush shumë, se pastaj humbet “magjia” e brendshme, ato detaje luksoze brenda, mes mozaikëve me rruaza shumëngjyrëshe, thekseve lime dhe luleve të vogla tridimensionale. Ndërsa te Dior, historia ndryshon: çanta e re me një dorezë të vetme, e zbukuruar me fjongo, ka në fakt një kapak të brendshëm që e mbulon përmbajtjen. Pra, e hapur jashtë, por e kontrolluar brenda.

Te Chanel, është një tjetër film: legjendarja 2.55, e konceptuar nga Matthieu Blazy, duket si një objekt “art & craft” gati i pamundur për t’u mbyllur. Brendësia bordo shihet qartë dhe në lëkurë janë shtuar fije metalike që çanta të manipulohet sipas dëshirës së asaj që e mban.

Ndërkohë, Dilara Findikoglu sjell në pasarelë çanta “granny purse” që derdhen nga përmbajtja: nga paketa cigaresh te charms, e deri te detaje që ngjajnë me rripa reçipetash si një homazh për gratë dhe për “jetën e tyre të brendshme”, të vendosur në dritë.

Dhe po: kjo ide lidhet me diçka shumë konkrete, përmbajtja e çantës. Ndoshta s’ka objekt më “psikologjik” se çanta e një gruaje: është si një zgjatim i identitetit. Siç shkruan Inès de la Fressange në parathënien e librit Borse të Sophie Gachet: kur një grua zgjedh një çantë, e kthen menjëherë në një projeksion të vetes; një reflektim të identitetit; një “magji” që e plotëson imazhin dhe, mbi të gjitha, e afron me personin që dëshiron të jetë.

Po çfarë po i themi botës kur e lëmë çantën hapur? Është deklaratë transparence apo një pozë e menduar? Liri apo një shfaqje tjetër e modës? Të shfaqësh gjithçka bllokun, buzëkuqin drejt fundit, kufjet e ngatërruara, faturat e zhubravitura është vërtet autenticitet, apo një formë e re “styling-u narrativ”, ku edhe rrëmuja është e kuruar, madje e dëshirueshme? Një përpjekje për të kopjuar Jane Birkin… që realisht s’kopjohet dot.

Në një kohë kur privatësia është bërë luks, ja ku vjen edhe trendi i çantës së hapur: “më shiko, s’kam ç’të fsheh”, sikur thotë. Po a është vërtet kështu? Apo po ofrojmë thjesht një version të redaktuar të kaosit, një çrregullim perfekt chic?

Ka edhe diçka provokuese në këtë: një objekt i krijuar për të ruajtur, mbrojtur, mbyllur, i hiqet qëllimisht funksioni kryesor. Ç’është çanta, në fund, nëse jo një vend për të futur (dhe fshehur) gjërat? Dhe çfarë do të thotë një çantë e hapur si shenjë e “moskokëçarjes” së dikujt që s’ka frikë as nga vjedhja, as nga gjykimi, as nga shiu për hir të një estetike të “imperfect”-it të zgjedhur, të sendit të jetuar por shumë të shtrenjtë, të idesë se luksi i vërtetë s’ka nevojë të mbrohet… ose ndoshta ka, por mund të shtiret sikur jo.

Dhe ndërkohë që ne i japim kuptime këtij gjesti, yjet e kanë përqafuar tashmë. Jennifer Lawrence shëtit në New York me Kelly të çliruar (madje që duket bosh), Victoria Beckham ecën në shi në Paris me Hermès të hapur dhe çanta prapë duket e zbrazët. Ironikisht, ajo kishte thënë dikur se mban brenda: një libër të mirë, kristale, parfum, buzëkuq, krem hidratues, syze, telefon… e plot të tjera.

Dhe ja ku kthehemi te Jane: ajo e mbante vërtet hapur sepse nuk i bënte dot vend jetës së saj brenda një mbylljeje. Sot, në shumë raste, çanta e hapur duket më pak nevojë dhe më shumë koreografi e modës një kapriço e bukur, e shpejtë, që na kërkon të dukemi sikur s’kemi asgjë për të fshehur… edhe kur e dimë që të gjithë fshehim diçka.