
Beatrix Ramosaj ka ndarë së fundmi me ndjekësit një moment të rrallë, të ndjerë dhe larg filtrave që zakonisht shoqërojnë rrjetet sociale. Në një video të publikuar prej saj, këngëtarja shfaqet teksa bëhet gati: në fillim kërcen pak, si një përpjekje e vogël për të mbajtur ritmin e ditës, por pak sekonda më pas shpërthen në lot.
Mbi video është shkruar: “Kjo është ajo që ju nuk shikoni. Jo çdo gjë është ashtu siç duket.” Një fjali që e vendos menjëherë në kontekst atë çfarë shpesh mbetet jashtë kornizës: realitetin emocional pas buzëqeshjes, pas punës dhe pas “normalitetit” që shfaqet në publik.
Në fillim të këtij viti, nëna e Beatrix, Antigone Ramosaj, bëri publike një nga betejat më të vështira që po kalon: përballjen me kancerin. Që nga ajo kohë, Beatrix ka vijuar angazhimet dhe punën e saj, ashtu siç kishte vazhduar edhe më herët, edhe kur sëmundja e nënës nuk ishte ende e thënë publikisht. Por këtë herë, ajo ka zgjedhur të mos e fshehë një copëz të asaj që ndodh “prapa skenës”.
Në përshkrimin që shoqëron videon, Beatrix shkruan:
“Duke u përpjekur të jem e fortë për gruan që ka qenë e fortë për mua gjithë jetën time. Disa ditë buzëqeshja qëndron… dhe në disa të tjera lotët vijnë gjithsesi. Të gjitha për ty, mami.”
View this post on Instagram
