
Bradley Cooper ka folur publikisht për herë të parë për spekulimet që qarkullojnë prej muajsh rreth një ndërhyrjeje estetike. Në një episod të 5 janarit të podkastit “Smartless”, aktori pranoi se kohët e fundit njerëzit po i bëjnë më shumë komplimente për pamjen.
“Po më vijnë njerëz këto javët e fundit”, tha Cooper, duke treguar se e ndalojnë dhe i thonë: “Oh, dukesh mirë”.
Biseda u hap kur një nga prezantuesit, Will Arnett, kujtoi se në një intervistë të mëparshme e kishin pyetur të thoshte një gjë për Cooper që publiku nuk e di. Arnett tha se do të përgjigjej pikërisht me temën që “po lexohet kudo”: pretendimet se Cooper ka bërë kirurgji plastike. Por ai u shpreh kategorik, duke këmbëngulur se kjo nuk është e vërtetë.
“Çfarë njerëzit nuk dinë është se ai nuk ka bërë ndërhyrje. Sigurisht që nuk ka bërë”, tha Arnett, duke shtuar se e bezdis fakti që këto komente përsëriten vazhdimisht sikur të ishin të provuara. Ai i quajti këto zëra “budallallëqe” që shpesh ushqejnë idenë se publiku “i di të gjitha”, kur në realitet thjesht lexon e përsërit.
Në të njëjtën frymë, Jason Bateman e ktheu situatën në shaka, duke thënë se ai vetë është “copëtuar” nga ndërhyrjet estetike, ndërsa të tjerët qeshën.
Cooper, 51 vjeç, ka qenë në qendër të vëmendjes për ndryshime në pamje edhe për shkak të transformimit të tij për rolin e kompozitorit Leonard Bernstein në filmin “Maestro” të vitit 2023. Ndërkohë, thashethemet u shtuan sidomos në fund të vitit 2025, kur aktori nisi të shfaqej më shpesh në evente dhe dalje publike në kuadër të promovimit të filmit “Is This Thing On?”, ku është i përfshirë edhe Arnett.
Në rrjetet sociale, disa përdorues komentuan se “nuk duket si i njëjti person”, ndërsa të tjerë shkuan edhe më tej duke spekuluar se në disa foto “nuk mund të jetë ai”. Këto reagime krijuan një debat të zakonshëm në botën e showbizit: ku mbaron ndryshimi natyror, grimi, ndriçimi, rolet dhe fotografia, dhe ku fillon supozimi pa prova.
Lajmi vjen në një periudhë kur edhe jeta sentimentale e Cooper po ndiqet nga afër. Ai është përfolur prej tetorit 2023 për një lidhje me modelen Gigi Hadid, 30 vjeç. Së fundmi, disa media britanike kanë raportuar se aktori është serioz dhe se mund të ketë bërë hapa drejt një propozimi martese, megjithatë këto mbeten raportime të pakonfirmuara zyrtarisht.
Cooper ka një vajzë 8 vjeçe, Lea De Seine, nga marrëdhënia e mëparshme me Irina Shayk.
