Jennifer Garner ka bërë një nga komentet e rralla për divorcin e saj me Ben Affleck, duke pranuar se pjesa më e vështirë nuk ishte zhurma e mediave, por vetë fakti i shpërbërjes së familjes dhe humbja e një “partneriteti të vërtetë”.

Aktorja 53-vjeçare, në një intervistë të re për Marie Claire, foli për periudhën e ndarjes dhe përballjen me vëmendjen publike pas vendimit të çiftit për t’u divorcuar në vitin 2015. “Nuk më shërben të ushqehem me thashetheme për veten apo për këdo tjetër aq më pak kur përfshihen fëmijët e mi prandaj nuk e bëj”, tha Garner, duke nënvizuar se ka zgjedhur të mos ndjekë zërat që qarkullojnë rreth saj.

Ajo shpjegoi gjithashtu se, edhe pse ishte e vetëdijshme për atë që shkruhej dhe thuhej, ajo që e lëndoi realisht nuk kishte lidhje me titujt apo komentet online. “Duhet të jesh e mençur për atë që mundesh dhe që nuk mundesh të përballosh dhe unë nuk mund ta përballoja atë që qarkullonte. Por ajo që qarkullonte nuk ishte ajo që ishte e vështirë”, u shpreh ajo.

Sipas Garner, “e vështira ishte vetë fakti. Shpërbërja e një familjeje ishte e vështirë. Humbja e një partneriteti të vërtetë dhe e një miqësie ishte e vështirë”.

Jennifer Garner dhe Ben Affleck ishin të martuar për 10 vite, përpara se të ndaheshin në vitin 2015. Divorci i tyre u finalizua në tetor 2018. Ata kanë tre fëmijë: Violet (20), Seraphina (17) dhe Samuel (13).

Pas ndarjes, Garner ka vazhduar jetën e saj me partnerin John Miller, por ka ruajtur një marrëdhënie bashkëprindërimi të afërt me Affleck. Së fundmi, aktorja është parë edhe duke kaluar kohë familjare me ish-bashkëshortin dhe fëmijët një sinjal se, pavarësisht ndarjes, prindërimi i përbashkët mbetet prioritet.

Ndërkohë, mediat e huaja kanë raportuar se Garner ka qenë pranë Affleck edhe gjatë periudhës së tij të vështirë pas divorcit me Jennifer Lopez (martesë e vitit 2022, divorc i vitit 2024), duke theksuar se lidhja e tyre si prindër dhe historia e përbashkët mbeten të forta.