Aktori francez, regjisor teatri dhe artist vizual, Arnaud Denis, ka bërë të ditur se ka vendosur ta përfundojë jetën në Belgjikë përmes vetëvrasjes së asistuar, në moshën 43 vjeç. Ai e lidh këtë vendim me pasojat që thotë se i kanë mbetur pas një operacioni për hernie inguinale tre vite më parë, i cili sipas tij e ka lënë me dëmtime të rënda, përkeqësim fizik të vazhdueshëm dhe pamundësi për të bërë një jetë normale.

Në rrëfimin e tij, Denis përshkruan izolimin dhe rënien e cilësisë së jetës si arsye kryesore që e kanë shtyrë drejt këtij vendimi.

“Nuk mund të dal më nga shtëpia. Nuk kam jetë shoqërore. Nuk kam më jetë fare. Kam humbur gjithçka që përbën dinjitetin njerëzor. Dhe po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Mjekët nuk kanë asgjë më për të më ofruar”, është shprehur ai.

Sipas të dhënave të bëra publike, aktori kishte instaluar një implant, një protezë, në vitin 2023, ndërsa kjo protezë është hequr më pas në Shtetet e Bashkuara në prill të vitit 2024, pas komplikacioneve dhe efekteve anësore të konsiderueshme. Ndërhyrjet e tilla, në shumicën e rasteve, cilësohen si procedura të zakonshme, por mund të shoqërohen edhe me pasoja që ndikojnë rëndë në funksionimin e përditshëm të pacientit.

Në këtë kontekst, përmenden edhe rastet kur pacientët përjetojnë dhimbje kronike, e cila mund të dëmtojë ndjeshëm cilësinë e jetës, aktivitetet e përditshme ose aftësinë për të punuar, dhe sipas studimeve kjo ndodh nga 0.5 deri në 6 përqind të pacientëve.

Vendimi i Denisit e rikthen sërish në vëmendje debatin e gjerë shoqëror dhe etik për vetëvrasjen e asistuar dhe kufijtë mes të drejtës për të vendosur mbi trupin, dinjitetit njerëzor dhe përgjegjësisë së sistemit shëndetësor për trajtimin e dhimbjes kronike. Në deklarimet e tij, ai e paraqet zgjedhjen si mënyrën e vetme për t’i dhënë fund vuajtjes që e ka privuar nga jeta që kishte më parë.

Nëse ti ose dikush pranë teje po përballet me mendime vetëdëmtuese, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë profesionale sa më shpejt dhe të flisni me një person të besuar.