Nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ku u bë përditësimi i situatës së krijuar nga moti i keq dhe reshjet intensive të ditëve të fundit në disa zona të vendit.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama garantoi se qeveria do të përmbushë çdo detyrim ndaj familjeve dhe subjekteve të prekura nga përmbytjet, duke theksuar se procesi i kompensimit do të realizohet me dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik. Kompensimet do të përfshijnë dëmet në banesa, tokë bujqësore dhe gjënë e gjallë.

Ai nënvizoi se Ministria e Financave është angazhuar për të qenë e përgatitur financiarisht për të mbështetur të gjithë procesin e zhdëmtimeve, ndërsa strukturat e shtetit dhe pushtetit vendor do të vijojnë punën në terren deri në normalizimin e plotë të situatës.

“Kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim “aleatët e shiut” ishte edhe një pjesë e tërë borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës. Ne i shlyejmë një më një ato borxhe dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit, përkundrazi kemi përballuar me dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik, jo vetëm detyrimet nga përmbytjet që edhe pse sfidat e klimës janë bërë më të mprehta, kanë qenë sidoqoftë shumë më pak, pikërisht sepse e kemi rritur ndjeshëm aftësinë mbrojtëse të infrastrukturës sonë apo detyrimet nga zjarret, që janë një sfidë e rritur e viteve të fundit, por edhe detyrime marramendëse nga fatkeqësira të “mos o zot”-shme si pandemia apo tërmeti, duke dalë më të fortë se përpara fatkeqësive, e më të ditur për të përballuar sfida të së nesërmes.

Kështu që sot dua t’i siguroj edhe të dëmtuarit e kësaj here se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë”, nënvizoi Kryeministri Rama.

Kryeministri Rama tha se në fazën e dytë, pas normalizimit të situatës autoritetet do të nisin në terren verifikimin për vlerësimin e dëmeve, si hap i parë drejt kompensimit.

“Një cikël i dytë ndërveprimi do të bëhet mes autoriteteve këtu të pranishme dhe kryetareve të bashkive, por edhe deputetët janë të mirëpritur të bëjnë konstatimet e tyre. Ndërkohë që, po e mbyll duke iu kërkuar deputetëve edhe njëherë, që të jenë të pranishëm në të gjitha zonat e tyre të përkujdesjes ndaj njerëzve, jo zgjedhësve, po njerëzve pa dallim dhe të bashkëpunojnë ngushtësisht me kryetaret e bashkive dhe me strukturat në territor për të bërë të mundur që gjithë procesi i zhdëmtimit të jetë një proces sa më i plotë, sa më i drejtë dhe sa më efikas”.

Gjatë fjalës së mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile kryeministri Edi Rama paraqiti edhe situatën e shkaktuar në vend nga përmbytjet.

“Aktualisht në të gjithë vendin janë ulur sasitë e reshjeve të matura deri së fundmi përjashtuar Durrësin ku janë regjistruar 41 milimetra shi. Një punonjës i bashkisë së Durrësit 54 vjeç është gjendur i mbytur pasi është raportuar i humbur një ditë më parë.

Deri tani janë në rang vendi numëruar 1587 banesa në praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje, po ashtu prania e ujit është konstatuar në 13 mijë e 211 mijë hektarë tokë bujqësore, një pjesë janë përmbytur sikundër dhe disa qendra shëndetësore apo objekte arsimore.

Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme, deri në 300 milimetra ose thënë ndryshe më shumë sesa sasia mesatare e reshjeve që bie gjatë gjithë muajit. Pra, reshjet 30 ditore mesatare të janarit kanë rënë për një periudhë 3-4 ditore, një fenomen ky që siç e thashë dhe më lartë, si rezultat i ndryshimit të klimës po bëhet gjithnjë e më pak i papritur në mbarë botën. Për shembull në disa zona të ultësirës perëndimore sasia e reshjeve në këto 4-5 ditë ka qenë rreth 25% ose sa çereku i sasisë vjetore të tyre, në mesatare.

Si pasojë e një rritje të tille ngarkesë mbi rrjedhën ujore në kanalet e ujërave të larta kolektorët kryesore kullues, përrenj malor dhe vetë lumenjtë Drin, Bunë, Mat, Drojë, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Devoll, Osum, Seman dhe Vjosë ka ardhur pasoja e përmbytjeve pavarësisht infrastrukturës, gjerësisht të ripërtërirë të mbrojtjes ujore si rezultat i investimeve të vazhdueshme të dekadës së fundit.

Aleatët politik të shiut që shohin tek çdo tërbim të natyrës forcën që do të kompensojë impotencën e tyre kundër qeverisë, kanë llomotitur shumë për gjendjen e hidrovoreve të cilët kanë qenë në funksion të plotë pa pushim duke evaduar sasira të konsiderueshme të ujit dhe duke parandaluar kështu pasoja shumë herë më të rënda nga reshjet e këtyre ditëve.

Deri tani shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës kanë qenë të kontrolluara dhe niveli i lumit Buna nuk ka arritur nivelin kritik tek kapërderdhësi i Shirgjit duke shmangur në këtë mënyrë shkarkimin e lumit Buna në Shirgj dhe tek përmbytjet masive të zonës së nën Shkodrës, si në kohërat kur qeverisnin aleatët e shiut dhe ajo zonë përmbytej rregullisht edhe pa nevojën e reshjeve të mëdha të kësaj natyre.

Shkodra ka qenë praktikisht qarku më i prekur nga reshjet me vlera shumë të larta në disa stacione ku janë regjistruar shifra konstante mbi 200 milimetra në 24 orë.

Duhet të informoj në këtë rast se përpara fillimit të sezonit me reshje drejtoritë e ujitjes dhe të kullimit kanë siguruar gatishmërinë e plotë të kanaleve kryesore kulluese, të kanaleve të ujërave të larta, hidrovorëve dhe patjetër të flotës prej 29 ekskavatorësh në drejtorinë qendrore.

Gjithashtu është bërë inspektimi i sigurisë së argjinaturave të lumenjve dhe të digave të rezervuarve e gjithë kjo infrastrukturë ka funksionuar dhe përballuar sasinë e reshjeve sipas niveleve të sigurisë së projektuar përtej të cilave siç është rasti i reshjeve krejt anormale i këtyre ditëve, dalja e ujit nga rrjedhja natyrale dhe për pasoje përmbytja për pika e zona më vulnerabël për arsye krejt objektive është e pashmangshme në cilindo vend jo të Shqipërisë, por të planetit.

Duhet të informojmë po ashtu se prej vitesh tanimë ne kemi një proces mirëmbajtje të infrastrukturës së kullimit ku përveç remontit të plotë 7 hidrovoreve gjatë sezonit të verës largohen çdo vit rreth 2.5 milionë metër kub llumra dhe mbetje nga kanalet kryesore kullues në një gjatësi rreth 300 kilometër.

Vetëm vitin e shkuar kemi investuar vetëm për këtë infrastrukturë të kullimit afro 25 milionë euro, ndërkohë që këtë vit vetëm nga bashkitë do të investohen 11 milionë euro apo 8 % më shumë se në vitin e shkuar.

Po për të dhënë një ide të plotë të transformimit të bërë në këtë drejtim duhet të informojmë se investimet prej afrosh 250 milion eurosh në dekadën e fundit kanë rindërtuar 536 kanale ujitëse dhe kullimi që ishin faktikisht thuajse të stërpërgjysmuara në efikasitetin e tyre, kanë përforcuar masivisht argjinaturat që binin nga të katërta anët në furtunën më të parë, kanë futur në punë 12 hidrovorë që kishin reshtur së punuari prej vitesh, kanë rritur sigurinë e 44 digave më të kërcënuara, kanë shtuar ndjeshëm kapacitetet e flotës së ekskavatorëve edhe në nivelin vendor”.

Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri bëri thirrje për solidaritet dhe bashkëpunim, duke theksuar se përballë emergjencave natyrore prioritet mbetet mbështetja e qytetarëve dhe rikuperimi sa më i shpejtë i jetës normale.