Miley Cyrus sapo i dha një kthesë nostalgjisë në mënyrën më të zgjuar të mundshme: duke rikthyer frengjin që të kujton menjëherë Hannah Montana, por të riformatuar sipas estetikës së 2026. Dhe momenti nuk mund të ishte më i qëlluar, pikërisht në prag të 20 vjetorit të serialit ikonë të Disney Channel, që e ktheu Miley-n nga një adoleshente e thjeshtë në një fenomen pop.

Në “Hannah Montana”, personazhi i saj, po ashtu i quajtur Miley, jetonte një jetë të dyfishtë: vajza “normale” dhe ylli i famshëm blond. Kur vendoste paruken në ngjyrë mjalti, Miley Stewart bëhej Hannah Montana, superylli që mbushte skenat. Pas mbylljes së serialit në 2011, Miley u përpoq të distancohej nga ai identitet, duke ndryshuar drastikisht pamjen, prerje më të shkurtra, bionde platin dhe një imazh krejt tjetër. Por tani, duket se ajo po e rikthen Hannah-n, jo si kopje, por si kujtim të stilizuar, me kontroll, me ironi dhe me shumë “Miley”.

Në paraqitjen e saj në Palm Springs International Film Festival, këngëtarja u shfaq si një version i përditësuar i yllit Disney, sikur Hannah të kishte lënë pas pop-in e viteve 2000 dhe të ishte zhytur në rock ‘n’ roll. Flokët, aktualisht në një blond të ngrohtë e të artë shumë pranë nuancës ikonike të Hannah-s, u stiluan me onde të gjata dhe të lira nga hair stylist Bobby Eliot. Por detaji që e bëri look-un të flasë ishte frengjia.

Ndryshe nga frengjia e drejtë dhe e plotë që shoqëronte paruken e Hannah Montana-s, Miley zgjodhi një frengji të gjatë “curtain bangs”, që bie përtej vetullave, thuajse prek qerpikët dhe shkrihet natyrshëm me shtresat e valëzuara, “beachy” dhe cool. Është një frengji në mes të dy botëve: as shumë e rëndë si curtain bangs klasike të trasha, as shumë “tuft” e prerë si ato që kanë qenë trend kohët e fundit. Një ekuilibër i saktë, si ajo “Goldilocks” e frengjive: jo shumë e gjatë, jo shumë e shkurtër, jo shumë e dendur, jo shumë e hollë, thjesht në masën e duhur.

Dhe kjo frengji mund të mos jetë thjesht një lojë estetike. Vetë Miley ka lënë të kuptohet se 2026 mund të sjellë diçka të lidhur me Hannah Montana-n. Meqë seriali feston 20 vjetorin, ajo ka deklaruar se po “punon fort” për diçka që do ta nderojë atë periudhë. Madje, me një buzëqeshje, ka hedhur edhe një sinjal të vogël: “Shikoni frengjinë.” Po, e pamë. Dhe duke e njohur Miley-n, kur ajo i kthehet një epoke, nuk e bën për t’u kthyer pas, por për ta rishkruar sipas vetes.