
Sapo nisëm të lodhemi nga “një milion e një” variantet e Labubu, Japonia hedh në treg një kandidat të ri që kërkon të marrë zemrat dhe çantat e njerëzve të modës. Quhet Mirumi dhe, nëse 2025 u duk si viti i Labubu, 2026 po përgatitet të ketë një emër tjetër në qendër të trendit të varëseve për çanta.
Mirumi është një krijesë e vogël, e leshtë dhe e parezistueshme, por me një detaj që e bën “upgrade” të qartë: nuk është vetëm aksesor, është i animuar. Emri vjen nga një lojë fjalësh japoneze, “miru”, që do të thotë të shikosh, dhe “nuigurumi”, që nënkupton pelushin. Pra, një pelush që “të shikon”, fiks siç do ta priste interneti.
Në thelb, Mirumi është një mini robot i mbuluar me material të butë si pelush, që reagon ndaj zërit dhe prekjes. Nuk është pajisje smart në kuptimin klasik, nuk ka ambicie të zëvendësojë telefonin dhe nuk premton teknologji të komplikuar. Ideja është shumë më e thjeshtë dhe shumë më “2026”: të të mbajë shoqëri me stil.
View this post on Instagram
Kjo lodër aksesor është krijuar nga start up japoneze Yukai Engineering dhe u prezantua për herë të parë në CES në Las Vegas vitin e kaluar. Së fundmi, ka nisur të pushtojë TikTok dhe Instagram, ku fashionistët e kanë trajtuar si “charm” i radhës që i jep personalitet çdo çante, nga ato me firmë deri te modelet më të thjeshta.
Edhe dizajni i tij është pjesë e gjithë lojës. Mirumi duket si një përzierje mes një yeti të vogël, një bufi dhe një personazhi të Muppets, me një fytyrë të fiksuar, thuajse të pashprehur. Disa do ta quanin “shikimi tipik i Gen Z”, në kontrast me buzëqeshjen paksa të çuditshme që i atribuohet Labubu. Është i vogël sa të mbahet rehat në dorë dhe krahët e tij përqafojnë mirë rripat, dorezat apo pasantet e çantës, sepse është projektuar pikërisht për t’u kapur fort dhe për të qëndruar si pjesë e look ut gjatë gjithë ditës.
View this post on Instagram
Ngjyrat janë në linjë me estetikën e butë dhe minimaliste që po pëlqehet shumë: rozë pastel, gri dhe bezhë. Pra, edhe kur është “lojë”, mbetet elegant dhe i veshshëm me çdo stil.
Ajo që e dallon Mirumi nga varëset e zakonshme është mënyra si ndërvepron. Brenda trupit ka motorë që i lejojnë të anojë dhe të rrotullojë kokën. Lëvizjet aktivizohen nga dy lloje inputesh kryesore, prekja dhe tingulli. Një sensor në kokë e kupton kur e përkëdhel, ndërsa dy sensorë akustikë kapin zëra apo zhurma pranë. Motori i qafës e bën të shikojë lart dhe, sipas mënyrës si janë programuar lëvizjet, ndonjëherë ai rrotullohet një herë dhe pastaj kthen kokën, për të krijuar përshtypjen se po vëzhgon vërtet ambientin. Në praktikë, është një varëse që duket sikur ka “jetë”, një takim i pastër mes hi tech dhe modës.
Për ata që pyesin sa kushton ky “shok” i vogël, çmimi raportohet rreth 100 euro, por aktualisht prodhimi është i kufizuar, rreth 100 copë për çdo variant ngjyre. Porositë e para pritet të nisin të dorëzohen nga 22 janari, dhe më pas Mirumi do të dalë edhe në Kickstarter, megjithëse për ta pasur në dorë mund të duhet të presësh deri në pranverë.
Nëse Labubu ishte cikloni që pushtoi çantat, Mirumi po vjen me logjikën e një vale të re, më e lezetshme, më e sofistikuar dhe, mbi të gjitha, më “interaktive”. Pas gjithë atij zhurmimi me varëse, ndoshta ky është hapi i radhës: aksesorë që jo vetëm duken mirë, por edhe të kthejnë kokën, fiks si trendet që s’rrijnë kurrë pa lëvizur.
