
Ka pak imazhe që kanë mbijetuar aq gjatë në kulturën pop sa Jennifer Aniston me flokë të lëmuar, super të ndritshëm, në atë biondon e ngrohtë si mjaltë që prej viteve të “Friends” u kthye në firmë personale. Një estetikë që u bë model, obsesion kolektiv dhe referencë e pafundme, mjafton të kujtosh Rachel’s Cut, prerjen që u kopjua më shumë se çdo trend tjetër i asaj kohe. Por tani, pas gjithë këtyre viteve, është vetë Jennifer Aniston ajo që e thotë hapur: ai biond ikonë nuk është “dhuratë e natyrës”, është rezultat i një ngjyrosjeje.
Po, Jennifer Aniston është brune nga natyra. Dhe e ka rrëfyer me atë natyrshmëri që e karakterizon, përmes një videoje në Instagram, e krijuar për markën e saj të produkteve për flokët, Lolavie. Në video, ajo shfaqet krah mikeshës së saj më të ngushtë dhe koleges Courteney Cox, duke e konfirmuar pa shumë rrotullime: “Po, jam një brune natyrale.”
View this post on Instagram
Momenti bëhet edhe më i këndshëm kur Courteney Cox i afron fytyrës një tufë flokësh të sajën dhe Jennifer e vëren menjëherë kontrastin: “Prisni… flokët e tu janë të zinj.” Madje, Aniston e lidh me një rol të saj, duke thënë se ky është fiks ngjyra e personazhit që ka luajtur te “Horrible Bosses”. Cox i përgjigjet me humor dhe nostalgji, duke thënë se e ka dashur filmin dhe se Jennifer ishte “një dentiste shumë e fortë”. Ndërsa “punchline” i videos vjen kur Aniston e mbyll me një sinqeritet të pastër: “E gjithë kjo është fake.”
Por rrëfimi nuk mbetet vetëm te “zbulimi”. Artikulli jep edhe disa udhëzime praktike për ata që janë brune dhe ëndërrojnë një biond mjaltë në stilin Aniston, pa e dëmtuar flokun. Sipas coloristit dhe hairstylistit Matteo Orlando (saloni Mastromauro, Milano), sekreti është të shkosh me faza, jo me “tronditje” të menjëhershme ngjyre. Pra, jo kalime brutale nga baza e errët në biond të çelët brenda një seance.
Fjala kyçe është personalizimi: ndriçime të holla dhe delikate, të punuara shpesh me dorë të lirë, që respektojnë bazën natyrale dhe tonin e lëkurës. Në vend të dekolorimeve agresive, këshillohet të krijohen lojëra drite multidimensionale, me reflektime të ngrohta dhe të ftohta të balancuara mirë, në mënyrë që biondi të duket “natyral” dhe i shtrenjtë, jo i fortë dhe i rrafshët.
Po aq e rëndësishme është edhe mirëmbajtja. Flokët biond të ngjyrosur kërkojnë trajtime për forcim në sallon, maska ushqyese në shtëpi dhe produkte specifike anti të verdhës, ato që dallohen nga pigmentet vjollcë. Me pak fjalë: biondi i Jennifer Aniston nuk është magji, është punë e kujdesshme, teknikë, ritëm dhe disiplinë.
Dhe mbase ky është thelbi i historisë: një ikonë bukurie që, pa e prishur mitin, e vendos në vendin e duhur. Jo si mashtrim, por si art i mirëmbajtur.
