
George Clooney nuk po tërhiqet nga deklarata që ndezi diskutim kudo: ai thotë se me Amal Clooney nuk zihen kurrë. Pas reagimeve që pasuan, aktori është rikthyer te ky pohim duke dhënë një shembull të qartë se çfarë nënkupton me këtë dinamikë dhe pse, sipas tij, marrëdhënia e tyre funksionon kështu.
Në një intervistë për The Los Angeles Times, Clooney e lidhi mënyrën si jetojnë si çift me moshën dhe përvojën. Kur intervistuesi i tha se, si dikush që ka qenë i martuar gati 30 vjet, e ka të vështirë ta besojë idenë e një martese pa grindje, Clooney e ktheu bisedën te një detaj që për të është thelbësor. Intervistuesi i tregoi se është martuar në moshën 32 vjeç, ndërsa Clooney u përgjigj se ai u martua me Amal kur ishte 52.
“Ka një arsye pse siguracionet nga 16 deri në 25 vjeç janë jashtë çdo norme”, tha Clooney, duke sugjeruar se pjekuria dhe mënyra si e menaxhon njeriu veten me kalimin e viteve ndryshon gjithçka. Ai shtoi se nuk kishte asnjë qëllim të martohej sërish, por gjithçka u përmbys kur u dashurua. “Nuk kisha asnjë synim të martohesha prapë, por u dashurova marrëzisht me personin që e ndryshoi këtë. Kemi fëmijë. Nuk doja të kisha fëmijë. Gjithçka ndryshoi sepse takova këtë person të jashtëzakonshëm.”
Për Clooney, ky është thelbi i asaj që njerëzit e interpretojnë si “mos u zënë kurrë”. Nuk është një përrallë me buzëqeshje të pandërprera, por një mënyrë komunikimi ku kompromisi është refleks, jo betejë.
Ai e përshkroi qartë se si vendimet merren me mirëkuptim, edhe kur nënkuptojnë heqje dorë. Clooney tregoi historinë e një aksidenti me motor, që sipas tij ishte mrekulli që mbijetoi. Amal i tha se aksidenti mund të ishte shenjë që ai të ndalonte së ngar i motorët dhe ai ra dakord. “I thashë, ‘Ok. E drejtë’. Meqë ra fjala, nuk kalon asnjë ditë që të mos më marrë malli”, tha ai.
Dhe sipas Clooney, edhe Amal ka bërë sakrifica të ngjashme. “E di, gruaja ime pinte duhan dhe unë i thashë, ‘Mendoj se është koha ta lësh’. Dhe jam i sigurt që nuk kalon asnjë ditë që ajo të mos e ndiejë mungesën e një cigareje. Por jam vërtet i lumtur që e la.”
George dhe Amal Clooney janë të martuar që nga viti 2014 dhe kanë dy fëmijë, binjakët Ella dhe Alexander. Edhe pse Clooney flet më shpesh publikisht për marrëdhënien e tyre, Amal ka ndarë gjithashtu këndvështrimin e saj, duke përshkruar partneritetin dhe rolin e tij si bashkëshort me tone të ngrohta. “Në bashkëshortin tim kam një partner që është jashtëzakonisht frymëzues dhe mbështetës, dhe ne kemi një shtëpi të mbushur me dashuri dhe të qeshura”, ka thënë ajo në një intervistë për Time. “Është një gëzim përtej çdo gjëje që mund ta kisha imagjinuar. Ndihem shumë me fat që e gjeta një dashuri të madhe në jetën time dhe të jem nënë, kështu e gjej ekuilibrin tim.”
Në fund, deklarata e Clooney për “mos u zënë kurrë” duket se nuk është një pretendim për një çift perfekt, por një përkufizim i tij për një marrëdhënie ku konfliktet nuk shndërrohen në luftë, sepse të dy zgjedhin të negociojnë, të heqin dorë nga diçka dhe të ruajnë qetësinë e shtëpisë si prioritet.
