Hailey Bieber ka reaguar publikisht për të hedhur poshtë zërat se ajo kishte ripostuar një video të një fansi në TikTok, ku aludohej për “abuzim” në martesën e saj me Justin Bieber dhe ku ai etiketohej si “i varur”.

Përmes një postimi në Instagram Stories, themeluesja e Rhode u shpreh qartë se nuk ka ripostuar asnjë video që komentonte marrëdhënien e saj. “E di që ju që jetoni në internet jeni shumë të mërzitur, por unë nuk kam ripostuar asnjë video që flet për marrëdhënien time,” shkroi ajo.

Reagimi i saj erdhi pasi në rrjet u përhap pretendimi se Hailey kishte shpërndarë një video ku një TikToker argumentonte se shumë marrëdhënie afatgjata “funksionojnë” sepse gruaja është “bashkëvarëse tolerante”, duke “toleruar mediokritetin, abuzimin dhe barrën kryesore të punës shtëpiake e emocionale”, vetëm për të qenë në një marrëdhënie. Në video, çifti Bieber përmendej si “shembull”, ndërsa Justin përshkruhej edhe si “i varur”, me pretendimin se një partner me varësi “nuk mund të jetë i barabartë” dhe se “varësia shoqërohet me abuzim”.

Në komentet e videos, disa përdorues këmbëngulën se e kishin parë klipin pikërisht sepse, sipas tyre, ishte ripostuar nga Hailey. Të tjerë e mbrojtën, duke sugjeruar se nëse ka ndodhur diçka e tillë, mund të ketë qenë gabim. Megjithatë, vetë Hailey e mohoi kategorikisht.

Hailey dhe Justin Bieber janë të martuar që prej vitit 2018 dhe kanë një djalë 1-vjeçar, Jack Blues. Çifti ka qenë shpesh në qendër të thashethemeve për ndarje ndër vite, por publikisht kanë ruajtur një imazh të bashkuar.

Ndërkohë, së fundmi Justin Bieber ka qenë subjekt diskutimesh në rrjet për shkak të aludimeve mbi përdorim droge, zëra që janë mohuar nga përfaqësuesi i tij, i cili i ka cilësuar pretendimet si “të lodhshme dhe të mjerueshme”, duke theksuar se disa njerëz “janë të përkushtuar të mbajnë gjallë narrativa negative dhe të dëmshme”. Sipas tij, Justin dhe Hailey janë në një periudhë të mirë, ndërsa një burim pranë tyre ka shtuar se këngëtari ka qenë i angazhuar me orë të gjata në studio, paralelisht me kujdesin për djalin e tyre.