
Liqeni i Komos nuk është thjesht një destinacion, por një përjetim ku historia, arti dhe natyra bashkohen si në ëndërr. Ndër pasuritë më të çmuara të tij janë vilat historike, të cilat prej shekujsh kanë shërbyer si rezidenca aristokrate.
Katër prej tyre spikasin veçanërisht si simbol i elegancës italiane pa kohë. E ndodhur në fshatin piktoresk të Tremezzos, Villa Carlotta është një rezidencë madhështore e stilit barok, e cila rrethohet nga një kopsht spektakolar prej rreth 8 hektarësh.
E famshme për lulëzimin e jashtëzakonshëm të rododendroneve dhe azaleave, me mbi 150 varietete të ndryshme, vila me kalimin e kohës është pasuruar me kryevepra arti, përfshirë skulptura të Antonio Canova-s dhe piktura të Francesco Hayez-it.
Villa del Balbianello është një nga më ikonike, bukuria dramatike e së cilës, ka tërhequr vëmendjen e Hollywood-it, duke u shndërruar në skenë filmike për saga të famshme si Star Wars dhe James Bond 007.
E ndërtuar në fillim të shekullit XIX në Bellagio, Villa Melzi është një shembull i rafinuar i stilit neoklasik. Kopshti i saj është i rrethuar nga bimë ekzotike dhe pemë shekullore, si edhe në ish-serën ku dikur ruheshin portokallet gjatë dimrit, sot ndodhet një muze që ekspozon relike të çmuara nga periudha napoleoniane, koleksione arkeologjike dhe piktura, duke i dhënë vilës një dimension të pasur kulturor dhe historik.
E fundit, por jo nga rëndësia, është Villa Serbelloni-t, e ndërtuar në 1400, për tu shndërruar në fund të shekullit XIX, në një hotel luksoz. Më vonë u ble nga Ella Walker, e cila e përdori si rezidencë private deri në vdekjen e saj, kur vila iu dhurua Rockefeller Foundation, që vazhdon ta menaxhojë edhe sot, duke e ruajtur si një nga pasuritë më ekskluzive të Liqenit të Komos.
